skip to Main Content

Gratë e Oscar Wilde

“Ka vetëm një gjë për të cilën ia vlen të jetohet: mëkati”. Nuk është një aforizëm e Oscar Wilde, siç me të drejtë mund të mendojë gjithkush, por e nënës së tij bohemiane, Xhejn. Sikur vetëm nga kjo shprehje është e kuptueshme se Wilde ishte, siç i themi në popull, “i biri të ëmës”.
Gratë në krijimet e Wilde janë inteligjente, të forta dhe të pavarura. Mbi të gjitha ato nuk dilnin kurrë nga asgjëja. Në një libër të fundit biografik mbi Wilde, më shumë sesa për jetën e shkrimtarit flitet për gratë që e nxitën, e frymëzuan, i dhanë formë si karakter njerëzor dhe krijues.
E para është, sigurisht, e ëma, Xhejn, një forcë dominuese që në fëmijërinë e autorit, e cila e quante veten “Speranca”, poetja më e rëndësishme irlandeze femër (të paktën kështu e shihte ajo veten). Bashkëshorti i saj ishte gjithashtu një njeri interesant, me fëmijë të mbledhur nga martesa të mëparshme. Kur vdiq, Xhejn mbeti me pak gjëra dhe u detyrua të shpërngulej nga Dublini në Londër.
Gjatë gjithë jetën, Wilde është ndikuar nga e ëma dhe më pas e shoqja, Konstanca, që i përvetësoi më së miri aftësitë e së vjehrrës. Në fakt, gratë ishin më pak paragjykuese ndaj jetës së tij personale dhe mbase kjo ishte arsyeja pse ai ndjente se në shoqërinë e tyre mund të ishte i vërtetë. Në prani të femrave, Wilde ndryshonte karakter, si në rastin kur lejonte të ëmën të ishte në qendër të vëmendjes artistike, kur të gjithë e dinin se artisti i vërtetë ishte ai. Pikërisht këtë është përpjekur të bëjë autorja e botimit mbi jetën e shkrimtarit irlandez, pra të tregojë anën tjetër të Wilde, ta shfaqë atë nëpërmjet syve të grave që jetuan me të.
Wilde me gratë ishte më i butë, më i ndjeshëm dhe shumë më pak dekadent në krahasim me atë që shfaqte në rrethana të tjera.
Oscar Wilde mbetet një nga autorët më të shkëlqyer europianë, që shënoi periudhën në të cilën jetoi me krijime autentike. Edhe pse u përfol gjithmonë për jetën e tij mëkatare – për shkak të preferencave seksuale – gratë e jetës së tij njihnin një burrë krejt tjetër.

 

Elona Qose