skip to Main Content

Mami, si nis lufta?

Roger Cohen

– Mami, të lutem ma trego edhe një herë, si nisi Lufta e Parë Botërore?
– Zemër, ta kam thënë një herë. Ka kaluar kohë që atëherë. Një shekull nuk është pak.
– Mami, të lutem!
– Po mirë, është e komplikuar në fakt. Je i sigurt që do ta dish?
– Po mami.
– Është një histori e trishtuar. Bota ishte e organizuar në një rend të caktuar, i cili u shemb, duke shkaktuar vdekjen e miliona njerëzve.
-Uau! Si ishte organizuar bota?
-Atëherë ekzistonin perandoritë, të cilat kontrollonin territore të tëra me njerëz të ndryshëm, disa prej të cilëve donin të vetëqeveriseshin. Një nga perandoritë më të fuqishme ishte ajo Austro-Hungareze. Vjena, kryeqyteti i perandorisë, kishte pallate pa fund, ku njerëzit argëtoheshin duke kërcyer nëpër ballo. Kjo perandori qeveriste edhe pjesë të një cepi të varfër europian, i quajtur Ballkan. Një ditë në vitin 1914, trashëgimtari i fronit austro-hungarez dhe e shoqja u vranë në një qytet ballkanik të quajtur Sarajevë nga një serbo-boshnjak, i cili donte çlirimin e sllavëve të jugut nga pushteti perandorak.
-Sa e trishtë! Në Vjenë pushoi muzika besoj! Po çfarë ndodhi më pas?
– Familja perandorake u tërbua. I bëri Serbisë një mal me kërkesa, ndryshe do të përballej me luftën. Vjena ndihej e sigurt, pasi kishte një mik të ngushtë të pushtetshëm, që quhej Gjermani. Serbia, nga ana tjetër, kishte gjithashtu një shok të mirë: Rusinë. Megjithatë, Serbia u përdrodh nga pak, si ti me detyrat e shtëpisë. Kështu që Austro-Hungaria nisi luftën.
– Pastaj?
– Pastaj Gjermania i shpalli luftë Rusisë, që ishte e lidhur ngushtë me Francën. Kjo e fundit nuk e shihte dot me sy Gjermaninë për arsye nga më të ndryshmet. Shumë shpejt, Gjermania, përmes Belgjikës, nisi sulmet ndaj Francës. Në këtë situatë u përfshi Britania, që hyri në luftë kundër Gjermanisë. Një perandori tjetër, e quajtur Perandoria Osmane, doli krah Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. Më vonë, Shtetet e Bashkuara, një fuqi në rritje, iu bashkua skuadrës së Britanisë dhe Francës. Disa vite më vonë, më shumë se 16 milionë njerëz humbën jetën dhe të gjitha perandoritë u shembën.
-E gjithë kjo për shkak të vrasjes së një çifti? E çuditshme!
– Diçka e vogël në dukje bëhet më e madhe se ç’duhet dhe njerëzit humbin durimin. Mjafton një shkëndijë dhe plas rrëmuja.
– Mami, kjo nuk mund të ndodhë më, apo jo?
– Jo.
-Ka sot perandori?
-Disa njerëz quajnë Amerikën perandori, edhe pse nuk ka një perandor. Është vendi më i fuqishëm në botë, me forca ushtarake të shpërndara në të gjithë planetin dhe njerëz të racave të ndryshme që mbështeten në të për udhëheqje dhe mbrojtje. Por Amerika po dobësohet.
-Atëherë i bie të jetë ashtu siç the më parë, që bota është e organizuar në një rend, që ndryshon për një tjetër dhe gjatë këtij procesi njerëz të pafajshëm vdesin.
– Jo tamam. Ku po vdesin njerëz?
– Në Siri. Mami, çfarë është Siria?
– Është një vend i vogël me njerëz dhe besime të ndryshme.
– Pse po luftojnë njerëzit atje?
– Është e komplikuar. Je i sigurt që do ta dish?
– Po mami.
– Mirë pra. Në fillim ishte një tiran që sillej si perandor, ndaj disa njerëz në Siri u ngritën kundër tij. Tirani nisi t’i gjuante. Amerika, Britania dhe Franca, mes vendeve të tjera, nuk e donin një gjë të tillë dhe dolën në krah të rebelëve. Të paktën kështu thanë, se nuk bënë gjë.
– Pse?
– Sepse ta thashë që Amerika po dobësohet.
– Mirë, po pastaj?
– Tirani kishte një mik për kokë, të quajtur Rusi. Edhe Irani i doli mik i mirë. Të dy e mbështetën.
– D.m.th., ai fitoi?
– Jo tamam! Shumë njerëz që donin ta hiqnin qafe tiranin ishin myslimanë sunitë. Ata mbështeteshin nga Arabia Saudite, që e urren Iranin. Turqia, pasardhësja e Perandorisë Osmane, e urren tiranin sirian dhe u hodh në anën e rebelëve. Por më shumë sesa tiranin sirian, Turqia urren një grup njerëzish në Siri të quajtur kurdë. Urrejtja ndaj tyre shkon kaq larg, sa në mënyrë tinëzare, ka ndihmuar një grup të krisurish sunitë që presin koka njerëzish, vrasin kurdë dhe gjuajnë njerëz në qytete perëndimore.
– Mami, u bëra konfuz.
– Siria është thyer, ashtu si Perandoria Osmane dikur. Rusia po bombardon armiqtë e tiranit sirian. Amerika po bombardon prerësit e kokave. Po ashtu edhe Franca. Turqia gjuajti një avion rus. Rusia është zemëruar. Kurdët duan shtetin që nuk e morën dot 100 vjet më parë. Arabia Saudite po lufton Iranin. Lufta është më e ashpër është në Siri, ku qindra, mijëra njerëz kanë vdekur.
– Dhe e gjithë kjo sepse ca burra donin të hiqnin qafe një burrë tjetër?
– Ndonjëherë, diçka e vogël në dukje bëhet më e madhe se ç’duhet dhe njerëzit humbin durimin. Mjafton një shkëndijë dhe plas rrëmuja.
– Mami, si mund të jetë Lufta e Tretë Botërore?
– Mos u shqetëso, gjithçka është ndryshe tani.
– Vërtet?
– Vërtet. Ne kemi jetë, liri dhe jemi në kërkim të vazhdueshëm të lumturisë. Gëzuar Ditën e Falënderimeve!

Përktheu: Elona Qose