Shkollat amerikane ndalojnë “Hakëlbërri Finin”
Shkollat në Filadelfia kanë vendosur ta heqin nga kurrikula mësimore, pas ankesave të nxënësve dhe prindërve për përdorimin e fjalës “zezak”.
Dhe historia përsëritet për Mark Tueinin dhe klasikun e tij “Aventurat e Hakëlbërri Finit” Ky i fundit është tërhequr nga kurrikula mësimore e shkollave të Filadelfias. Libri ishte pjesë e lëndës mësimore për klasat e 11-ta, por sipas shumë prindërve dhe nxënësve gjuha e përdorur në libër nuk është e përshtatshme për moshën dhe nuk e justifikon përfitimin kulturor.
Libri klasik amerikan tregon historinë e Hak Finit, djaloshit që të gjithë e kemi “takuar” fillimisht në aventurat e Tom Sojerit.
Ernest Heminguei ka thënë se e gjithë letërsia moderne amerikane është ndikuar nga një libër i vetëm nga Tuein: “Aventurat e Hakëlbërri Fin”. Por romani, i botuar për herë të parë në vitin 1884, është edhe një nga librat më sfidues i të gjitha kohërave dhe gjatë viteve ka hasur shpesh në kundërshtime nga kategori të ndryshme njerëzish.
I ndaluar fillimisht në Masaçusets, në vitin 1885, i cilësuar si plehrë, sot shkakton zemërim për shkak të përdorimit të shpeshtë – më shumë se 200 herë – të fjalës “zezak”.
Pavarësisht ndalimit në disa shkolla, libri nuk është tërhequr nga libraritë. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Sot, për arsye që nuk do t’i rendisim këtu, njerëzit janë më të ndjeshëm ndaj termave me kontekst racor. Megjithatë, libri i Tuein është një nga më të mirët e letërsisë amerikane dhe jo vetëm dhe ndër më të preferuarit e miliona njerëzve.