skip to Main Content

Te vetulla jote – Nga Nikollë Loka

Te vetulla jote
Një galaktikë shuhet
në qiellin pakufi
të syrit tënd.
Pafundësia të çon larg,
në rrugën e qumështit
tash je.
Kjo ëndërr që po sheh
të lidh me mua,
më vjen ta lexoj
sipër qepallave
e të mbështillem me të
si në rrjetë merimange.
Ti shndërrohesh para meje,
në një kometë
që po vjen.
E zjarrtë po djeg
ftohtësinë
e pastaj,
në baticat dhe zbaticat
e ndjenjave,
ylli im
përpiqet të zërë vend,
në gjumin tënd.
Ti qetësisht
largohesh nga kjo botë,
me shpejtësinë e kometës.
Endesh
në hapësirën ndëryjore,
me një ditë të re
mbush sytë.
Atëherë e ndiej
ngadalësimin e kohës,
harrimin e kësaj bote
që lind te vetulla jote.