Botohet romani i Ismail Kadaresë, “Krushqit janë të ngrirë”
Në prag të ditëlindjes së 80-të të shkrimtarit Ismail Kadare, shtëpia Botuese “Onufri”, për herë të parë boton si libër në vete romanin e Kadaresë “Krushqit janë të ngrirë”.
Kjo vepër, dëshmia e parë dhe tepër e rrallë e masakrës serbe në Prishtinë në pranverë të vitit 1981, u shkrua fill pas saj në vitet 1981-1983. Ndër të tjera ajo pati si qëllim njohjen e publikut shqiptar, dhe sidomos atij botëror, me terrorin e ushtruar në Kosovë.
Vepra nuk u botua asnjëherë si libër më vete. Përkthimi i saj më pas, në shumë vende të Europës, hodhi dritë mbi të vërtetën e tragjedisë së Kosovës.
Ndërkohë, Akademia e Shkencave dërgoi zyrtarisht duke përsëritur edhe një herë tjetër, kërkesën në Komitetin e Nobelit të Akademisë Suedeze për t’i dhënë çmimin Nobel për Letërsi shkrimtarit Ismail Kadare.
“Për rëndësinë që ka për kulturën shqiptare dhe më gjerë vlerësimi në nivel ndërkombëtar i veprës së jashtëzakonshme letrare të shkrimtarit tonë të shquar dhe akademikut Ismail Kadare, në kuadër të vitit të 80-vjetorit të lindjes së tij, me propozim të Këshillit Ekzekutiv të Akademisë së Shkencave në mbledhjen e datës 14 janar 2016; vendosi kryerjen e procedurës administrative për propozimin e kandidaturës së shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi, për vitin 2016”, – thuhet në njoftim.