skip to Main Content

Historia e vërtetë pas klasikut të Erich Segal, “Histori dashurie”

Embed3_JanetBarnard Nga Paula Young Lee.

“Çfarë mund të thuash për një 25-vjeçare që vdiq?”- është fjalia e parë e klasikut të Erich Segal, “Histori dashurie”. Në fakt, Jenny, ose më mirë personi real nga u frymëzua shkrimtari për të krijuar heroinën e tij tragjike, nuk vdiq. Ajo quhet Janet, një grua hebreje që jeton ende në Nju Jork.
Në vitin 1998, një seri bisedash të keqinterpretuara lanë të kuptohej se ish-zëvendëspresidenti amerikan, Al Gore, pretendonte se ai dhe e shoqja, Tipper, kishin frymëzuar autorin për historinë e famshme. Por një grua me emrin Janet Sussman vendosi të tregonte se në fakt ishte ajo Jenny në jetën reale…
Janet Sussman ishte vajza e vogël e një çifti intelektualësh ruso-polak, që kishin emigruar në SHBA. Familja e saj ishte pjesë e atij që e motra, Deborah, e quante “Klani”, një rreth i ngushtë social, që i ishte dedikuar gjetjes së parave për të krijuar një atdhe për hebrenjtë. Pjesë e këtij rrethi ishte edhe familja Gartners, prindër të të riut Gideon, me të cilin Janet dhe merrte mësime pianoje.
Në vitin 1952, ndërsa ishte në një kamp veror, 15-vjeçarja Janet mori një letër dashurie nga një shok shkolle 17-vjeçar. Në plot shtatë faqe, ai i rrëfente se e donte dhe se i kishte shkruar pasi shumë shpejt do të shkonte në kolegj, ndaj kishte frikë se e kishte humbur shansin të linte një takim me të. Ai ëndërronte të martohej me të në krye të dhjetë viteve. Ëndërronte se ajo do t’i kthente përgjigje. Megjithatë mendonte se ishte budallallëk të pranonte ndjenjat e tij, sepse kushedi sa djem të tjerë ishin të dashuruar me të!

***
Në fillim të viteve ‘50, Janet Sussman ndiqte shkollën e mesme bashkë me Gideon Gartner dhe Erich Segal. Erich ishte moshatar me Janet, por një klasë me lartë, ndërsa Gideon, i cili i shkroi letrën e dashurisë, ishte dy vjet më i madh.
Gideon vazhdonte t’i shkruante letra, por Janet nuk ishte e interesuar. Ajo ishte shumë e zënë me miqtë, pasionin për të kënduar, studimet … për t’u përfshirë në një lidhje. “Në atë kohë jeta ishte ajo që ndodhte”,- ka shpjeguar Janet. “Nuk i vije gjërat në dyshim. Unë merrja letra dhe mendoja se edhe të tjerë merrnin po ashtu.
Erich nisi t’i dërgonte letra në vitin 1954 dhe vazhdoi t’i dërgonte për 16 vitet në vazhdim. Janet e njihte, të gjithë e njihnin, por nuk e kuptonte se si e kishte tërhequr vëmendjen e tij, pasi pothuajse nuk e shihte kurrë gjatë aktiviteteve të ditës në shkollë…
***
Pas mbarimit të kolegjit, Janet vendosi të shkonte në Paris tek e motra. Gjatë kohës në Paris u takua me Erich, kur pranoi të shkonte për darkë në shtëpinë e disa të afërmve të tij. Megjithatë ajo nuk shfaqi asnjë interes për ta takuar sërish. Erich u kthye i dëshpëruar në SHBA dhe vazhdoi t’i dërgonte letra. Janet ka ende një duzinë me letra nga ai. Kur Janet ishte në Paris, Erich shkoi të takonte prindërit e saj, të cilëve u la përshtypje të mirë.
***
Pas kthimit në SHBA, në tetor 1960, Janet nisi punë si asistente e Geraldine Souvaine, producente. Në atë kohë, pranoi të dilte me mikun e vjetër, me të cilin merrte mësime pianoje, Gideon. “Kur e kisha takuar për herë të fundit ishte thjesht djalosh, kur u ktheva nga Parisi ishte bërë burrë. Papritur u ndjeva e tërhequr nga ai”,- kujton Janet.
Pak muaj më vonë, ata u martuan.
Erich i shkroi një letër urimi.
***
Tashmë grua e martuar dhe me tre fëmijë, Janet vazhdonte të merrte letra rregullisht. Ajo e dinte se kush ia dërgonte. Erich ishte bërë profesor i letërsisë greko-latine në universitetin e Yale, si dhe kishte pasur sukses si skenarist në Hollivud. Ajo e mendonte si një shkrimtar të afirmuar, që thjesht nuk hiqte dot dorë nga letrat. Ndonjëherë ajo i kthente ndonjë përgjigje të shkurtër dhe nuk e shtynte më tej.
Një natë në 1969-n, Erich e mori në telefon. “Më tha se më kishte shkruar letrën e fundit të dashurisë dhe që ishte mbi 100 faqe”,- thotë ajo. Ajo letër e fundit ishte “Histori dashurie”, libri i tij i famshëm, që u bë libri më i shitur në vitin 1970 dhe e bëri autorin milioner. Një vit më vonë, kur doli filmi, Erich e ftoi Janet për darkë bashkë me dy aktorët dhe producentin e filmit. “Gideon më tha të shkoja, por ngulmoi që mos të identifikohesha si Jenny e historisë”,- kujton ajo.
Në një intervistë në vitin 1971, Erich ka folur për ndjenjat e tij ndaj gruas që frymëzoi personazhin e “Histori dashurie”.
“Kur humb gruan që do, gjithçka ka mbaruar, nuk ka rëndësi nëse ajo vdes apo të lë për një burrë tjetër. Ti je vetëm. Kur arrita në këtë pikë nisa të mendoja për “Histori dashurie”. Kjo është edhe arsyeja pse Jenny vdes në libër, sepse për mua ajo është e vdekur”.

Përgatitur në shqip nga Elona Qose