Shekspiri tashmë edhe mbret i Twitter-it
Shekspiri tashmë edhe mbret i Twitter-it
Për Uilliam Shekspirin nuk ka rëndësi epoka, pasi edhe sot, 400 vjet pas vdekjes së tij, flitet ende për të. Është protagonist i kulturës botërore dhe pasuria e tij gjendet kudo, në kinema, teatër, TV, madje edhe në Twitter. Për të celebruar përvjetorin historik, më 23 prill, Këshilli Britanik hartoi një kalendar eventesh dhe nismash, mes të cilave edhe hashtag-un#Shakespearelives, (Shekspirijeton).
Veprat e shkrimtarit do të shfaqen në shumë evente në rreth 110 vende të botës, përmes festivaleve dhe turneve teatrale. Në ditët e sotme përdoren edhe projektet dixhitale, që përfshijnë masë të gjerë njerëzish në mbarë botën. Një realitet që duket kaq i largët nga viti 1616 kur dhe vdiq shkrimtari anglez, në moshën 52-vjeçare, në Stratford-upon-Avon.
Por sot nuk është e vështirë ta imagjinosh duke postuar në rrjetet sociale citatet dhe frazat e tij të famshme, që në një farë mënyre janë bërë pjesë e leksikut të botës virtuale.
Parashikohet një sukses i madh për hashtag-un, dedikuar në një farë mënyre garës së citateve dhe pasazheve të veprave të njohura, si “Hamleti” dhe “Makbethi”.
Veprat e shkrimtarit do të kujtohen edhe në monedhat e reja 2 sterline, në Britani, që do të kenë simbole shekspiriane: kafkën, trëndafilin, kurorën dhe shpatën.
Sipas kryeministrit britanik Kameron, që ndërmori dhe nismën për hashtag-un, trashëgimia e Shekspirit nuk ka krahasime. Veprat e tij janë përkthyer në mbi 100 gjuhë të ndryshme dhe studiohen nga nxënësit e rreth gjysmës së planetit.
Kompania “Royal Shakespeare” do të bëjë një turne në Kinë, ku shkrimtari është një ndër më të dashurit, ndërsa “Globe” do të performojë në Danimarkë dhe Irak. Por nuk do të mungojnë as konferencat dhe konventat, për të folur rreth një figure tepër të studiuar dhe analizuar, por që në disa drejtime mbetet ende misterioze.