skip to Main Content

Çiftet më të njohura në letërsinë botërore

12744387_1016140218424280_9062189773993879333_n

Çiftet më të njohura në letërsinë botërore

Shën Valentini është në prag. Nëse keni një partner/e, një libër dashurie do ishte një dhuratë e vlerësuar. E nëse jeni vetëm mund të humbisni veten në historitë e të dashuruarve të mëdhenj, të cilët kanë jetuar, dashuruar, humbur… në libra gjithmonë.
Historitë e dashurisë në letërsi janë të jashtëzakonshme dhe ndonjëherë të pabesueshme. Personazhet më të njohur në letërsinë botërore për pasionin e tyre janë gati të shkojnë në fund të botës për njëri-tjetrin, ndonjëherë janë të gatshëm të vdesin për dashurinë, si çifti më i famshëm në histori, Romeo e Zhuljeta. Ose si Antoni dhe Kleopatra, ata ndryshojnë rrjedhën e historisë.
Më poshtë kemi renditur ata që, sipas shumë kritikëve, cilësohen si çiftet më të njohura në historinë e letërsisë botërore.

1. Antoni dhe Kleopatra
Historia e Antonit dhe Kleopatrës në veprën e Shekspirit pranohet nga shumë si historia më e madhe e dashurisë në letërsi. Në veprat e tij, Shekspiri paraqet shpesh martesa të këqija, për shkak se burrat e veprave të tij janë të obsesionuar pas parave dhe pushtetit. Kjo nuk ndodh me Antonin dhe Kleopatrën.
Dashnorët e mëdhenj heqin dorë nga gjithçka për dashurinë, përfshirë perandoritë,- thotë Antoni në veprën e Shekspirit pak pasi takon Kleopatrën.

2. Romeo dhe Zhuljeta
Ky çift është bërë sinonim i dashurisë. Tragjedia e Shekspirit tregon historinë e dy adoleshentëve, të cilët vdesin në emër të dashurisë.

3. Hithklif dhe Kethi
Një çift i njohur i letërsisë klasike, që padyshim klasifikohet në listën e të dashuruarve të mëdhenj, është Hithklif dhe Kethi nga libri “Lartësitë e stuhishme” të Emily Bronte.
“Lartësitë e stuhishme” është një histori e madhe dashurie, por ashtu si Antoni dhe Kleopatra, Hithklif and Kethi nuk mund të jetojnë në botën e vërtetë. Ata e duan njëri-tjetrin me të njëjtën forcë që edhe e torturojnë njëri-tjetrin. Nuk është çudi që botime prestigjioze e rendisin edhe në listën e çifteve më të këqij në historinë e letërsisë.

4. Elizabeth dhe Darsi

Personazhet e mirënjohur të “Krenari dhe paragjykim” të Jane Austen. Ashtu siç e tregon dhe titulli i veprës, dy personazhet e dashur duhej të linin mënjanë krenarinë dhe paragjykimet për ndarjen klasore për të jetuar dashurinë e vërtetë. Pa dyshim, një nga çiftet më të dashur të të gjitha kohërave.

5. Beatriçe dhe Benedikti
Sërish një vepër e Shekspirit, kësaj radhe “Shumë zhurmë për asgjë”. Beatriçe dhe Benedikti në këtë vepër janë origjinalët e çifteve të llojit “të urrej – të dua”. Thjesht të mrekullueshëm. Dhe një arsye më shumë për të qenë të dashur, Shekspiri për këtë çift ka rezervuar një fat të lumtur.

6. Tristani dhe Isolda
Historia tragjike e Tristanit dhe Isoldes është treguar në mënyra nga më të ndryshmet gjatë rrjedhës së historisë. Isolda ishte vajza e mbretit të Irlandës, e cila i ishte premtuar mbretit Mark. Ky i fundit dërgon nipin e tij, Tristanin, për të marrë Isoldën. Por gjatë udhëtimit, Tristani dhe Isolda bien në dashuri me njëri-tjetrin. Marrëdhënia e tyre vazhdoi edhe pas martesës së Isoldës. Kur mbreti e mori vesh, ai e fali Isoldën për dëboi Tristanin nga mbretëria. Tristani vdes pa e ditur që Isolda ishte nisur drejt tij, pak pas tij vdes edhe Isolda.

7. Xhejn dhe Roçester
Personazhet e njohur të Sharlot Bronte, Xhejn është një jetime e punësuar si guvernante në shtëpinë e Eduard Roçesterit, tek i cili gjen edhe dashurinë. Por në ditën e martesës së tyre, Xhejn zbulon se Roçesteri është ende i martuar, edhe pse gruaja e tij mbahet e izoluar për shkak të sëmundjes së rëndë mendore. Xhejn largohet, por më vonë kthehet sërish te dashuria e saj, pasi mëson se një zjarr kishte shkatërruar fermën, kishte vrarë gruan e tij dhe kishte lënë të verbër Eduardin.

8. Skarlet O’Hara dhe Ret Batler
“Bashkë me erën” mund të identifikohet si një nga veprat e pavdekshme të letërsisë botërore. Në këtë libër, Margaret Mitçell ka treguar historinë e dashurisë dhe urrejtjes mes Skarlet O’Hara dhe Ret Batler.