skip to Main Content

Enoch Arden

Enoch Arden është një poemë narrative e shkruar nga Alfred Tennyson në vitin 1864. Botimi që ju mund ta shfletoni online është një përkthim i Skënder Luarasit

BOTIM I VITIT 1933!

Heroi i poemës, peshkatari që u bë tregtar, Enoch Arden, lë të shoqen dhe tre fëmijët për të shkuar të udhëtojë nëpër dete me kapitenin e tij të dikurshëm, i cili i ofron punë, pasi Enoch kishte humbur punën për shkak të një aksidenti; në një mënyrë që pasqyron pikëpamjen mashkullore të heroit për mundimet dhe vështirësitë personale për të mbajtur familjen, Enoch Arden lë familjen për t’u shërbyer më mirë, si baba dhe bashkëshort. Megjithatë gjatë udhëtimit, anija mbytet Enoch Ardeni përfundon në një ishull të shkretë, bashkë me dy të tjerë; të dy ata vdesin, duke e lënë të vetëm Ardenin. Kjo pjesë e historisë të kujton Robinson Crusoe-në. Enoch Ardeni mbetet i humbur për më shumë se dhjetë vjet.

Pas rikthimit, ai zbulon se në mungesë të tij, e shoqja, që kishte besuar se Ardeni kish vdekur, ishte martuar dhe tashmë e lumtur me një tjetër burrë, me shokun e tij të fëmijërisë, Philipin (Annie i kishte njohur të dy që në fëmijëri, ndaj dhe kishte rivalitet mes tyre) dhe ka një fëmijë me të. Jeta e Enochut mbetet e papërmbushur, me një prej fëmijëve të tij tashmë të vdekur, ndërkohë që për bashkëshorten dhe fëmijët e tjerë kujdeset tashmë rivali i tij i dikurshëm.

Enochu nuk i zbulon asnjëherë bashkëshortes dhe fëmijëve se është gjallë, pasi e dashuron shumë dhe nuk dëshiron që t’ia prishë lumturinë e rigjetur.

Enochu vdes zemërthyer.

Historia mund të konsiderohet një variacion dhe antitezë e legjendës klasike të Odisesë, i cili pas një mungese prej 20 vjetësh në Luftën e Trojës dhe nëpër dete, gjen bashkëshorten e tij, e cila e kishte pritur besnikërisht. Përdorimi i emrit Enoch për një burrë që zhduket nga jetët e njerëzve të dashur, me siguri është frymëzuar prej personazhit biblik Enoch. Në fakt, edhe e gjithë struktura kronologjike e jetës së protagonistit, me ciklet e saj lidhet me simbolizmin biblik të “ditëve të Krijimit” dhe nxjerr në pah aftësinë mbresëlënëse të Tennyson për të futur qëllime teologjike, në një mënyrë të thjeshtë e të trishtë, me një kompleksitet të paprecedentë në letërsinë angleze.

Ju urojmë një lexim të këndshëm.