skip to Main Content

“Leximtari” – një libër mbi ndjeshmërinë, keqardhjen, krenarinë…

12744341_1021490311222604_5811810650344948763_n

“Leximtari” – një libër mbi ndjeshmërinë, keqardhjen, krenarinë…

Letërsia ka gjetur mënyra nga më të ndryshmet për t’u marrë me Holokaustin dhe pasojat e tij dhe një nga më të papriturat është pa dyshim një libër mbi paaftësinë për të lexuar.
“Leximtari”, libri më i njohur i profesorit gjerman të filozofisë Bernard Shlink, është një histori mbi dashurinë dhe sekretet, horrorin dhe ndjeshmërinë.

Në Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore, 15-vjeçari Mikael Berg përfshihet në një marrëdhënie intime me Hanën, një grua 36-vjeçare, e cila më pas zhduket. Vite më pas, tashmë student drejtësie, Mikael e sheh Hanën në një sallë gjyqi, mes të akuzuarve për krime ndaj çifutëve në kampet e përqendrimit. Ndërsa Hana refuzon të mbrohet, Mikael kupton se gruaja mban një sekret, të cilin e konsideron edhe më të turpshëm: ajo është analfabete, një fakt që ka ndikuar veprimet e saj në të kaluarën dhe minojnë shanset e saj në të tashmen.
Vetë autori ka thënë se vendosi të shkruajë për analfabetizmin që në momentin që formësoi idenë e librit, duke bërë kështu edhe një sërë kërkimesh.

Ndryshe nga çdo parashikim, libri pati një sukses të madh pikërisht edhe për shkak të cekjes së këtij shqetësimi social. Në thelb, “Leximtari” nuk është thjesht një libër i frymëzuar nga krimet e Holokaustit, si dhjetëra të tjerë ndër vite; ai është shumë më i thellë: është një libër mbi ndjeshmërinë, keqardhjen, krenarinë…
Në Britani libri u kthye në fenomen, pasi Departamenti i Edukimit dhe Punësimit publikoi edhe një studim mbi analfabetizmin, në parathënien e të cilit u përdor një ilustrim i pasojave të analfabetizmit bazuar jo në ndonjë kërkim a studim të veçantë, por në librin “Leximtari”.

Por libri gjithashtu është kritikuar shumë, mbi të gjitha për faktin se analfabetizmi i Hanës përdoret si një mënyrë për të justifikuar krimet e saj. Një kritikë tjetër është se autori nuk del me një ndëshkim të qartë për Hanën, por në fakt, a është vërtet ky qëllimi i historisë?

I lindur në vitin 1944, Shlink e përfshin veten në atë që ai e quan “gjenerata e dytë”, dhe që është brezi që është përballur me pasojat monstruoze të luftës.
Shlink thotë se libri nuk është absolutisht për Holokaustin, në të vërtetë është një libër për mënyrën se si brezi i dytë u përball me të dhe me veprimet e etërve të vet.

Elona Qose