skip to Main Content

Obsesioni ynë i vjetër për Marsin George RR Martin

12745592_1018211541550481_8384966036844080494_n

Obsesioni ynë i vjetër për Marsin
George RR Martin

Një herë e një kohë ishte një planet që quhej Mars: një botë me rërë të kuqe dhe aventura të pafundme. E mbaj mend mirë, sepse kam shkuar shpesh atje kur isha fëmijë.
Unë vij nga një familje e thjeshtë punëtore, që kurrë nuk ka pasur shumë para. Jetonim në periferi të Nju Xhersit, një zonë në projekt ndërtimi, nuk kishim para, kështu që nuk kam parë ndonjë gjë të madhe. Shtëpia ime ishte në Rrugën 1, shkolla në Rrugën 5 dhe për pjesën më të madhe të fëmijërisë e gjithë bota imje përmblidhej në ato pesë blloqe. Pak kishte rëndësi, për sa kohë kisha botë të tjetra. Si lexues i etur, në fillim i librave komikë e më pas i librave fiksion dhe fantazi, udhëtoja larg ndërkohë që shfletoja faqet.
U ngjita gradaçelave të Metropolisit me Supermenin; luftova krimin në Gotham me Batmanin; kapërceva kullat e Manhatanit me Njeriun merimangë; lundrova detet e jugut me Long John Silver dhe Robert Louis Stevenson; iu kundërvura njerëzve të kardinalit përkrah tre musketierëve dhe Aleksandër Dyma… Librat u bënë pasaporta ime për në Arrakis dhe Trantor, Minas Tirith dhe Gormenghast, Oz and Shangri-La, të gjitha vendet mitike, si dhe në planete, hëna dhe asteroide të sistemit tonë solar: Plutoni i ngrirë, ku dielli është thjesht një yll i ndritshëm në qielll; Saturni me unazat e tij; Mërkuri me një fytyrë të kthyer përjetësisht nga dielli dhe ku jeta është e mundur vetëm në muzg; Jupiteri, graviteti i të cilit i ka bërë banorët e tij më të fortë se njëqind njerëz; Venusi i fshehur pas reve dhe … Marsi.
Ndërsa rritesha mendoj se kam shkuar në Mars më shpesh sesa në New York City, edhe pse Manhatani ishte vetëm 45 minuta dhe 15 cent larg.
Por Marsi… e njihja Marsin plotësisht. Një planet i shkretë, i thatë, i ftohtë dhe i kuq; mijëra qytetërime kishin lindur e ishin shkatërruar. Marsianët e mbetur, një racë në zhdukje, ishin të mençur e misteriozë, me raste të ligj e të dhunshëm, gjithmonë të pakuptueshëm. Marsi ishte toka e përbindshave, erërave vërshëllyese, maleve të lartë, kanaleve të thatë e shkretëtirave me rërë… të kuqe.
Ne tokësorët gjithmonë kemi qenë gati të magjepsur nga Marsi. Ishte një nga planetët fillestarë (bashkë me Mërkurin, Venusin, Jupiterin dhe Saturnin), “endacakët” që refuzuan të marshonin me yjet, por shtruan udhën e tyre drejt parajsës. Dhe Marsi ishte i kuq; ngjyra e tij ishte e dukshme edhe për sytë e verbër të antikëve; ngjyra e gjakut dhe zjarrit. Vëzhgimet e Galileut; zbulimi i hënave të Marsit në vitin 1877 nuk bënë gjë tjetër veçse shtuan kuriozitetin mbi këtë planet. Vulën e vuri astronomi italian Giovanni Schiaparelli me njoftimin se kishte zbuluar “kanale” në Mars.
Më vonë, kur HG Wells nisi të shkruante një “romancë fantastiko-shkencore” mbi pushtimin alien, të titulluar “Lufta e botëve”, e përdori planetin e kuq si origjinë të pushtuesve.
Vëzhgimet e astronomit Schiaparelli zgjuan interesin e shkencëtarëve dhe shkrimtarëve, veçanërisht të astronomit amerikan Percival Lowell, i cili për vite të tëra vëzhgoi dhe studioi Marsin, ndërsa përfundimet i publikoi në disa botime. Sipas Lowell, kanalet e Marsit, sigurisht artificialë, ishin ndërtuar nga raca marsiane për shpërndarjen e ujit. Shumë ishin skeptikë mbi shënimet e Lowell, por nëse nuk ishin të besueshme në realitet, mund të bëheshin në tilla në fantazi.
HG Wells i dha botës tonë marsianët, por nuk na çoi asnjëherë në Mars. Këtë detyrë ia la një shkrimtari tjetër (me shumë më pak peshë), Garrett P Serviss, i cili publikoi një lloj vazhdimi të “Luftës së botëve” në vitin 1898. Edhe pse i harruar në ditët e sotme, romani pati ndikim në kohën e botimit.
Në 1911-n, Normal Bean u nisi një dorëshkrim editorëve të revistës “The All-Story”. “Nën hënat e Marsit” nisi botimin në seri në shkurt 1912. Shkrimtari pas pseudonimit ishte Edgar Rice Burroughs. Në vitin 1917, të gjitha pjesët u botuan nën titullin “Princesha e marsit”.
Otis Adelbert Kline, Stanley G. Weinbaum, CS Lewis, Jack Williamson, Edmond Hamilton dhe dhjetëra të tjerë më pak të njohur shkruan historitë e tyre mbi Marsin dhe banorët e tij. Marsi i fëmijërisë time ishte një amalgamë e krijuar nga shkrimtarë të ndryshëm, çdonjëri prej të cilëve shtonte diçka nga vetja në një botë që njëkohësisht u përkiste të gjithëve dhe askujt.
Është e vërtetë që Marsi i Lowell, Bean, Brackett, Moore dhe Bradbury nuk ekziston, megjithatë kjo nuk do të thotë që nuk mund të shkruajmë për të. Zhanri fantastiko-shkencor ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e traditës letrare dhe romanca nuk ka pasur kurrë lidhje me realizmin.
Mariner (anije kozmike) nuk e gjeti dot Marsin e vjetër. Por ti mundesh… mjafton të kthesh fletën.

Përktheu: Elona Qose