skip to Main Content

Dështo prapë, dështo më mirë!

12931300_1044687222236246_20664570883902723_n

Dështo prapë, dështo më mirë!

Samuel Beket ka një shprehje që shpesh më shërben si moto: “Ke provuar? Ke dështuar? Nuk ka problem! Provo prapë! Dështo prapë! Dështo më mirë!”
Refuzimi është shpesh demotivues. Ajo çfarë nuk kuptojmë është se refuzimi apo dështimi, në fakt, nëse jemi këmbëngulës, na bën më të mirë.
Ndërsa dëgjoja intervistën e një këngëtari të njohur para disa ditësh më tërhoqi vëmendjen përgjigjja se këngët më të mira që kishte shkruar ishin ato që i ishin refuzuar më shpesh nga shtëpitë diskografike.
Në të njëjtën linjë, autorja e serisë “Harry Potter”, një nga shkrimtaret më të respektuara dhe më të pasura sot, ndau në Twitter letrat e refuzimit që kishte marrë ndër vite, në mënyrë që të inkurajojë krijuesit e rinj.
“Letrën e parë të refuzimit e ngjita në murin e kuzhinës, që të më kujtonte se kisha një të përbashkët me autorët e mi të preferuar”,- shkroi shkrimtarja, e cila postoi edhe dy letra refuzimi të vona, pasi ishte bërë e famshme me “Harry Poter”.
Çfarë e mbajti të motivuar autoren edhe pas gjithë atyre refuzimeve?
“Nuk kisha çfarë të humbja. Ndonjëherë kjo mjafton për të të bërë të fortë mjaftueshëm”,- shtoi ajo.
Rowling nuk është e vetmja: James Joyce, George Orwell, Fitzgerald e shumë të tjerë janë refuzuar shpesh nga shtëpitë botuese. Po kjo nuk i ndali në përpjekjet për t’u marrë me atë që donin më shumë: letërsinë.

Elona Qose botimeshqip.com