skip to Main Content

Historia e luftës së grave

12813925_1029279297110372_8491198274179152335_n

Historia e luftës së grave për barazi nuk i përket një feministeje të vetme, as një organizate, por përpjekjeve kolektive të të gjithë atyre që shqetësohen për të drejtat e njeriut” – Gloria Steinem.

Nuk mund të kishte përkufizim më të mirë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas ose, siç quhet rëndom në vendin tonë, festa e 8 marsit.8 marsi te ne vazhdon të konceptohet e të kalohet si festë, edhe pse vitet e fundit gjithmonë e më shumë janë shtuar zërat kundër, d.m.th ata që ngulmojnë se në fakt kjo datë duhet të na shërbejë si ditë proteste.Kam lexuar shumë komente këto ditë, nga njerëz që argumentojnë këto dy qëndrime. Vetë preferoj ta shoh çështjen pak më thellë. Nuk kam qenë asnjëherë e dhënë pas festimeve kolektive dhe, për të qenë e sinqertë, nuk kam dalë kurrë me mikesha për 8 mars, ama nuk mund ta mohoj që nuk ia kam kursyer një tufë lule sime ëme. Tek e fundit, kjo është një datë për t’u kujtuar, është një ditë për të kremtuar ato që gra të forta e kurajoze para nesh kanë arritur me punën e përpjekjet e tyre. Dhe kujtesa nuk ka pse të jetë vetëm në formë proteste.

Po, është e vërtetë që nuk duhet të qëndrojmë në vend, por edhe paraardhëset tona nuk e fituan, p.sh., të drejtën e votimit vetëm në një ditë. Çdo ditë mund të protestojmë dhe jo vetëm, por me burrat në krah, ashtu sikurse nesër mund të kujtojmë një datë simbol dhe sërish duke pasur në krah gjysmën tjetër të shoqërisë, që nuk është kurrsesi armiku i grave.