Librat perfektë për meshkujt që nuk lexojnë
Librat perfektë për meshkujt që nuk lexojnë
Gratë lexojnë më shumë se burrat dhe këtë e thotë pjesa më e madhe e studimeve të bëra deri tani. Mbase kjo është edhe arsyeja pse ka një lloj diskriminimi edhe në realizimin e shkrimeve të ndryshme për letërsinë. Edhe në blogun tonë gjatë këtyre muajve kemi shkrime të ndryshme për gratë shkrimtare dhe lexuese, por nuk kemi shkruar asnjëherë për meshkujt në rolin e lexuesit.
Një studim i fundit thotë se një e treta e popullsisë mashkullore nuk lexon libra. Gati 30 për qind e burrave nuk kanë lexuar asnjë libër që pas përfundimit të shkollës. Arsyet janë të shumta. Gjithsesi, nëse je burrë ose njeh një të tillë, mundet të paktën të provosh të lexosh një libër. Më poshtë gjeni disa tituj të përshtatshëm, që mund të tërheqin vëmendjen e meshkujve.
Plaku dhe deti – Ernest Heminguej
Nuk ka ndonjë libër më të thjeshtë dhe tërheqës për t’u lexuar. Mbi të gjitha, është shumë e shkurtër. Për një lexim të thjeshtë, është historia e një burri në moshë duke u përpjekur të peshkojë (nëse doni të thelloheni, pastaj, është shumë më tepër se kaq). Do ta lexoni librin në një kohë rekord.
Rruga – Cormac McCarthy
Është historia e jashtëzakonshme e një babai që bashkë me të birin përpiqen të mbijetojnë pas një katastrofe globale. Është gati-gati një guidë se si t’i mbijetosh një apokalipsi. E sigurt që çdo burrë do ta lexonte.
Burrat e vërtetë nuk thonë kurrë më fal – Xhim Belushi
Një libër i shkruar nga aktori dhe personaliteti televiziv Xhim Belushi. Është i thjeshtë, me batuta plot humor. Edhe një burrë që nuk ka lexuar kurrë në jetën e tij do t’i shfletonte disa faqe të këtij libri.
Fjalor erotik i gjuhës shqipe – Edmond Tupja
Nuk ka nevojë për arsye. Nëse u bie në dorë, do ta lexojnë patjetër, madje me zë të lartë duke jua bërë të ditur edhe juve ato që po lexojnë.
Tre musketierët – Aleksandër Duma
Luftë, dashuri, tradhti, intrigë, miqësi, aventurë… edhe vetëm dy të parat mjaftojnë për ta bërë një nga librat më tërheqës për burrat. Libri është i shkruar thjesht dhe nga një mjeshtër i romanit historik. Lexohet me një frymë!