skip to Main Content

Michael Connelly: Detektivi im Bosch! Kështu e mira mposht të keqen

Screen Shot 2016-03-20 at 18.58.53

Në shkollë Majkëll Koneli nuk ishte aq mirë: i topitur, shkonte me vonesë ose nuk vinte fare. Në universitet paraqitet edhe më keq: pezullohet, ripranohet, vihet në provë. Pastaj një ditë regjistrohet në një kurs studimi të Mikelanxhelos, drita e Rilindjes. Dhe zbulon se në Evropën Veriore, një piktor flamand i quajtur Jeronim Bosh tregon kaosin dhe fatkeqësië, mëkatin dhe shkatërrimin. Errësirrën. Kur Koneli vendos të bëhet një shkrimtar i librave të verdhë, nuk e pati të vështirë t’i gjejë emrin detektivit të tij: Jeronim Bosh, ose ndryshe Herri.

Vetëm ata që e njohin të keqen dinë si të përballen me të. Unë s’kam qenë kurrë një nxënës i mirë. Kam qenë i topitur dhe nëse do të kishte ekzistuar një përkufizim i dukurisë, sjellja ime do të ishte diagnostikuar si sindromi i mungesës së vëmendjes në shkollë. Shpesh përtoja të shkoja ose mbërrija me vonesë në leksione.

Preferoja të lexoja romantet policeskë të Çëndlërit dhe Hametit dhe autorët klasikë si Melvil dhe Xhojs, në një kohë që preferoja të shihja ndonjë film të ri, në vend se të bëja detyrat e shtëpisë. Kur fillova studimet në Universitetin e Floridës, ia çoja si mos më keq. U pezullova, riktheva, vendosa në provë. Ndodhte shumë rrallë që ndonjë argument në leksione të më bënte të ngrija kokën dhe kapte vëmendjen time.

Një ndër rastet e rralla kur kjo ndodhi, ishte gjatë studimit të shkencave humane, në të cilat u rregjistrova vetëm për shkak se më dukeshin shumë të lehta, aq shumë sa që mendova se do të më shërbenin për të marrë atë notë të mirë, që do mund të përmirësonte mesataren time të dobët, duke shmangur kësisoj përjashtimin nga universiteti.

Tema ishte Rilindja italiane, me një fokus të veçantë mbi Mikelanxhelon dhe rezultatet e jashtëzakonshme që artisti kishte patur si në pikturë ashtu edhe skulpturë para të tridhjetave të tij. Puna e artistit të mirënjohur kremtonte bukurinë, mrekullinë e jetës dhe të besimit. Mikelanxhelo ishte fari që ndriçoi periudhën midis fundit të shekullit XV dhe fillimit të shekullit XVI në Firence dhe Romë.

Vepra e tij është karakterizuar nga format heroike të njeriut, burra dhe gra me trupa të përsosur, që rreshtoheshin me guxim kundër së keqes. Përkundrazi, na tha profesori, në Evropën Veriore klima kulturore qe e ndryshme. Vizioni mbi botën ishte i errët. Gjatë periudhës në të cilën Mikelanxhelo gdhendi Davidin, ndoshta veprën e tij më të bukur dhe të qëndrueshme, një piktor flamand i quajtur Jeroniom Bosh krijonte triptikun me një stil të pangatërrueshëm, “Kopshti i Bukurive”, i cili do të linte një shenjë të rëndësishme në botën e artit.

Vepra e Bosh shpërfaqte kaosin dhe errësirën:pasojat e mëkatit, humbjen e hirit, vuajtjet që pësojnë njerëzit në këtë jetë dhe në botën e përtejme. Kur profesori filloi të projektojë në mur disa nga veprat e Bosh, ngrita kokën duke u bërë papritmas vigjilent. Hej, prit një minutë, po kjo çfarë është?, mendova i tërhequr tej mase. Pyesja veten se çfarë mendje perverse do të kishte krijuar këto imazhe të tmerrshme, ato tortura djallëzore. Çfarë mendime qenë krijuar në mendjen e artistit për t’i dhënë jetë atyre imazheve?

Kontrasti ndërmjet dritë-bartësve dhe atyre që përfaqësojnë errësirën, do të më impresiononte shumë. Para syve të mij ishin zgjedhjet që bëjmë ne njerëzit dhe shtigjet që zgjedhin për të ecur. Bota e Mikelanxhelos kremtonte dritën, ndërsa në atë të Bosh drita qe zhdukur.

Dëshira për t’u bërë një tregimtar, lindi pak a shumë në të njëjtën kohë me magjepsjen time për Jeronim Boshin. Vendosa të bëhesha shkrimtar, dhe ajo për të cilën doja të shkruaja ishte pikërisht ky dallim ndërmjet dritës dhe errësirës. Më saktësisht, synoja të shkruaja llojin e tregimeve që kisha dëshirë të lexoja. Historitë më detektivë, thrillerat.

Historitë e njerëzve që zbresin në thellësitë e shthurjes dhe shëmtisë, që janë në ndjekje të vrasësve dhe torturuesve, të cilët dinë si të gjejnë dritën e humbur në errësirë. Problemi ishte se si të mbërrija atje. Nuk kisha asnjë përvojë me botën e krimit dhe atyre që përballen më të, përveçse një nate të vetme të kaluar në stacionin e policisë si dëshmitar periferik i një vepre penale. Kisha parë një njeri, teksa fshihte një pistoletë. Nëse doja të shkruaja mbi anën e errët të njerëzimit, duhej të gjeja një mënyrë për ta njohur atë botë.

Mendova se ndoshta e vetmja mënyrë ishte punoja në shtyp, ndaj pas 6 viteve në kolegj, u diplomova në gazetari dhe u angazhova në sektorin e kronikës së zezë. Në dekadën që pasoi shkruajta mbi policë, vrasës dhe viktima. Jam marrë me të gjitha llojet e krimit, nga vrasësit serialë që vepronin duke lëvizur nga njëri vend në tjetrin, tek luftërat mes bandave të narkotrafikut, dhe krimet më të tmerrshme të pasionit.

Kam shkruar në lidhje me vrasjet e kryera në zona ku dhuna dukej në rendin e ditës, por që shpesh është karakterizuar nga aspekte të pazakonta: Florida Jugore dhe Jugu i Kalifornisë. Në qoftë se një vrasje kishte disa elemente të makabritetit, do të ndodhte përherë në këto dy rajone. Pasuria e përvojës që fitova, më shërbeu për të përgatitur veten për qëllimin që i kisha vendosur vetes:shkruarjen e romaneve me detektivë.

Pasi mbërrita në të tridhjetat, u ndjeva gati për t’u përballur me sfidën. Shkrova dy të parët dhe i hodha. Nuk qenë mjaft cilësorë për t’u botuar, por i dyti qe më i mirë se i pari, dhe kjo ishte e rëndësishme. Po mësoja. Me të tretin ndodhi magjia. Asokohe jetoja në Los Anxheles, dhe vendosa se cilësia më e rëndësishme e protagonistit tim, duhej të ishte ajo e të qenit në gjendje të interpretojë në mënyrë të përkryer një skenë krimi.

Do të mbërrinte në vendin ku ishte marrë një jetë njeriu, dhe jo vetëm duhet të kuptonte se çfarë kishte ndodhur, por do gjente në vetvete vendosmërinë dhe zemëratën për t’u angazhuar në një ndjekje të pandërprerë ndaj vrasësit. U mendova gjatë se si do ta quaja detektivin tim. Emri qe i rëndësishëm, për shkak se ishte si një dritare e hapur për shpirtin e tij.

Jo vetëm kaq, por ishte e qartë se ai qe një bartës i dritës në një botë të errët. Papritmas u ktheva ne kujtimet e viteve të kolegjit dhe të klasës ku kisha parë ato imazhe të projektuara në ekran, të kaosit dhe fatkeqësisë. Tek e fundit, çfarë është një skenë krimi në mos përshkrimi statik i një akti dhune tashmë të shkuar, pasojë e një bote të çmendur, ku në betejën ndërmjet të mirës dhe të keqes ka fituar kjo e fundit?  Duhet një njeri i mirë dhe i drejtë për të kuptuar të keqen. Nevojitet një njeri i guximshëm për të sfiduar humnerat dhe sjellë dritën në errësirë. Në atë moment e kuptova se si do të quhej agjenti im:Jeronim Bosh.

Leave a Reply