skip to Main Content

400 vjet nga vdekja e Servantesit, disa kuriozitete mbi “Don Kishotin”

don-chischiotte-3-650x320

Pak personazhe në historinë e letërsisë së të gjitha kohërave kanë forcën legjendare dhe ndjellëse të Don Kishotit të Mançes, kalorësi i pathyeshëm, pa frikë dhe pa turp i gdhendur nga pena e Servantesit. Është një libër që bashkon idealet me qesharaken, pasionin me çmendurinë, imagjinatën me komedinë dhe tragjedinë. Me absurditetin e vet diti të bëjë për vete miliona lexues ëndërrimtarë ndër shekuj, si dhe frymëzoi autorë, poetë dhe artistë të të gjitha llojeve.

1) “Don Kishoti” është konsideruar i pari roman modern

Kritikë dhe shkrimtarë të njohur e kanë përkufizuar si të parin libër modern për strukturën narrative që përshkon dy personazhet mitike, si dhe për nuancat dhe dialogët e tyre. Diçka që nuk ishte parë me përpara.

2) Ishte personazhi i preferuar i Dostojevskit

Dostojevski i thuri shpesh elozhe veprës së Servantesit. Në një letër shkroi: “Mes të gjithë personazheve të bukur të letërsisë të krishterë, njëri spikat si më i preferuari: Don Kishoti. Është i bukur sepse është qesharak”.

3) Servatesi e ideoi historinë ndërsa ishte në burg

Një nga ngjarjet më të famshme në historinë e letërsisë e ka zanafillën e vet pas hekurave të një burgu në Sevilje. Në këtë qytet, Servantesi punonte si koleksionist, për të paguar aktivitetin si shkrimtar. Disa “gabime llogarie” e çuan për pak kohë në burg, dy herë, ku dhe mendoi për personazhin pa frikë dhe turp.

4) Historia merr shkas nga eksperienca e Servantesit si skllav

Një aspekt autobiografik i Servantesit paraqitet te “Don Kishoti”, kur dy personazhet kryesorë vendosin të lirojnë një grup skllevërish. Ndoshta kjo vëmendje e karakterit “fisnik” të Don Kishotit lind prej periudhës së skllavërisë, kur Servantesit iu desh të qëndronte për 5 vjet në Algjeri.

5) Don Kishoti, xhaxhai i bashkëshortes së Servantesit

Servantesi tregon se emri i vërtetë i heroit “don Quixote”, në spanjisht është Alonso Quixano, frymëzuar nga Alonso de Quesada y Salazar, xhaxhai i gruas së tij Catalina de Salazar y Palacios. Disa mendojnë se xhaxhai nuk ishte frymëzim vetëm për emrin, por edhe për disa prej aspekteve të personazhit historik.

6) Shkroi bestsellerin e të gjitha kohërave, por nuk u bë i pasur

“Don Kishoti” u shkrua në fillim të shekullit XVII dhe prej atëherë është përkthyer në mbi 50 gjuhë dhe është lexuar miliona herë. Por edhe pse vepra pati sukses të menjëhershëm, Servantesi nuk pati shumë përfitime, sepse, siç ishte edhe koha, shkrimtarët nuk përfitonin nga privilegjet e shitjeve.