skip to Main Content

KULTURE / Sapiens: Një histori e shkurtër e “kësaj racës sonë”

Screen Shot 2016-04-15 at 15.13.36

Qeniet njerëzore (ata të llojit Homo) kanë ekzistuar për afro 2.4 milionë vite. Homo sapiensët, speciet tona të majmunëve të mëdhenj, kanë ekzistuar për vetëm 6% të asaj kohe – rreth 150 mijë vite. Atëherë, një libër me titull Sapiens, nuk duhet që të ketë nëntitullin “Një histori e shkurtër e racës njerëzore”.

Eshtë e lehtë të shohësh përse autori, Yuval Noah Harari, na e dedikon neve, si specie, 95% të librit të tij: injorantë për vetveten siç jemi, ne sërish dimë shumë më tepër për “Ne”, se sa çdo specie tjetër qeniesh njerëzore, duke përfshirë shumë prej atyre që janë zhdukur, që nga dita kur ne ecëm për herë të parë mbi Tokë. Mbetet fakti se historia e Sapiens-ëve – emri që na vë Harari – është vetëm një pjesë shumë e vogël e historisë së njerëzimit.

A mundet që të përmblidhet kjo histori, në vetëm 400 faqe? Në të vërtetë, jo; është më e kollajtë të shkruash një histori të shkurtër të kohës – 14 miliardë vite – dhe Harari harxhon nëfakt më shumë faqe për të tashmen tonë, dhe të ardhmen e mundshme, se sa për të kaluarën.

Në pjesën e parë të ekzistencës sonë, ecim përpara pa spikatur shumë; pastaj kalojmë nëpër një seri revolucionesh. Së pari, revolucioni “i njohjes”: rreth 70 mijë vjet më parë, fillojmë të sillemi në mënyra shumë më të zgjuara se më parë, për arsye që janë ende të paqarta, dhe përhapemi me shpejtësi nëpër planet. Rreth 11 mijë vjet më parë, ne hyjmë në revolucionin kulturor, duke u konvertuar në numra gjithnjë e më të mëdhenj, nga gjuetia, tek bujqësia. “Revolucioni shkencor” nis rreth 500 vjet më parë. Ai bëhet shkëndija e revolucionit industrial, para rreth 250 vitesh, që nga ana e tij shkakton revolucionin e informacionit, rreth 50 vjet më parë, i cili nga ana e tij bëhet nxitësi i revolucionit bioteknologjik. Harari dyshon se revolucioni bioteknologjik sinjalizon fundin e sapiens-ëve: ne do të zëvendësohemi prej post-humanëve të krijuar në mënyrë bio, cyborg-ë që s’vdesin, në gjendje të jetojnë përgjithmonë.

Kjo është një mënyrë e të parashtruarit të gjërave. Harari përfshin edhe ngjarje të tjera të rëndësishme, ku spikat mbi të gjitha zhvillimi i gjuhës: ne bëhemi të aftë të mendojmë mprehtësisht për gjëra abstrakte, të bashkëpunojmë në numra gjithnjë e më të mëdhenj, dhe më e rëndësishmja, të bëjmë thashetheme. Pastaj është ngjitja e fesë dhe vënia dalëngadalë përfund e politeizmave, prej monoteizmave më pak toksikë. Më pas është evolucioni i parasë dhe, më e rëndësishmja, kredisë. Të lidhura me këto, janë përhapja e perandorive dhe tregtisë, si dhe ngjitja e kapitalizmit.

Harari parashtron këtë numër të madh temash të ndërlidhura mes tyre, në një mënyrë që është, në rastin më të mirë, përfshirëse dhe informuese. Eshtë i saktë mendimi që “nuk e zbutëm ne drithin. Na zbuti ai ne”. Ka patur, thotë Harari, një “pazar” Faustian mes njerëzve dhe drithit, ku specia jonë hodhi tutje simbiozën e saj intime me natyrën, dhe rendi drejt babëzisë dhe armiqësimit. Ishte një “pazar” i keq: “revolucioni bujqësor ishte mashtrimi më i madh i historisë”. Ai solli një dietë më të keqe, orë më të gjata pune, më shumë risk nga vdekja prej urisë, kushte jetese të mbipopulluara, rriti shumë sëmundshmërinë, format e reja të pasigurisë dhe format më të shëmtuara të hierarkisë. Harari mendon se mund të kishim qenë më mirë në epokën e gurit, dhe ai ka gjëra të forta për të thënë, në lidhje me ligësinë e fabrikave bujqësore, duke e përmbyllur: “Bujqësia industriale moderne është krimi më i madh në histori”.

Ai pranon se struktura në themel të emocioneve dhe dëshirave tona ka mbetur e paprekur nga këta revolucione. “Zakonet tona të të ngrënit, konfliktet dhe seksualiteti ynë janë të gjithë rezultat i mënyrës se si mendja e gjahtarëve të lashtë brenda nesh, ndërvepron me mjedisin tonë rrethues postindustrial, me qytetet e mëdha, avionët, telefonët celularë dhe kompjuterët… Sot mund të jetojmë në apartamente të lartë dhe me frigoriferë të tejmbushur, por ADN-ja jonë mendon ende se ndodhemi në Savanë”.

Ai jep një ilustrim të njohur – orekset tona të fuqishme për sheqer dhe yndyrna kanë shkaktuar disponueshmërinë e ushqimeve, të cilët janë shkaqet parësore të mungesës së shëndetit dhe shëmtisë. Konsumi i pornografisë është një tjetër shembull i mirë. Eshtë njësoj si të hash me tepri: nëse mendjet e të varurve nga pornografia do të shiheshin si trupa, ato do të ngjanin pikërisht sei njerëzit obezë.

Në një pikë, Harari pretendon se “projekti prirës i revolucionit shkencor” është Projekti i Gilgameshit (ka marrë emrin e heroit të Epit të Gilgameshit, që u nis të shkatërrojë vdekjen): “Për t’i dhënë njerëzimit jetën e përjetshme, apo jo-vdekshmërinë”. Por në sytë e Hararit, jo-vdekshmëria nuk është pavdekshmëri, sepse gjithmonë mund të vdesim nga shkaqe të dhunshme, dhe Harari është skeptik për të mirën që do të na sillte. Si vdekatarë, ne mund të bëhemi histerikë në kujdesin tonë. Vdekjet e atyre që duam mund të bëhen shumë më të tmerrshme. Do të bëhemi paranojakë ndaj gjithë gjërave. Mund të përfundojmë duke rënë dakord me xhuxhët e JRR Tolkienit, që e shihnin vdekshmërinë si dhuratë për qeniet njerëzore, dhe që atyre vetë u mungonte.

Edhe nëse lëmë mënjanë gjithë këto pika, nuk ka garanci që jo-vdekshmëria do të na sjellë më shumë lumturi. Harari përmend studime të mirënjohura që tregojnë se lumturia e një personi, nga njëra ditë në tjetrën, ka shumë pak të bëjë me rrethanat materiale. Sigutisht, paraja bën ndryshimin – por vetëm kur na nxjerr nga varfëria. Pas kësaj, paraja ndryshon pak gjë, ose asgjë. Natyrisht, një fituese llotarie gëzohet prej fatit të saj, por pas 18 muajsh lumturia e saj mesatare ditore rikthehet në nivelet e dikurshëm. Nëse do të kishim një matës të pagabueshëm lumturie, dhe do të bridhnim në lagje të pasura dhe të varfëra, nuk është e qartë nëse në të parat do të merrnim rezultate më të lartë.

Një pjesë e mirë e “Sapiens…” është interesante, dhe në pjesën më të madhe shprehur shumë mirë. Megjithatë, teksa lexon, tiparet tërheqëse të librit mbulohen prej shkujdesjes, ekzagjerimit dhe sensacionalizmit. Nuk flasim për keqpërdorimin standart dhe të vazhdueshëm që ai i bën thënies “përjashtimi vërteton rregullin” (ai nënkupton që rastet e jashtëzakonshëm testojnë dhe konfirmojnë rregullin, për shkak se rezulton që rregulli gjen zbatim edhe tek to). Ka një lloj vandalizmi në gjykimet gjithëpërfshirës të Hararit, apo në nxitimin e tij për lidhjet rastësore. Marrim si shembull rrëfimin për betejën e Navarinos. Duke nisur nga fakti që investitorët britanikë do të humbisnin para nëse grekët humbnin luftën e tyre për pavarësi, Harari lëviz shpejt: “Interesi i mbajtësve të bonove të thesarit ishte edhe interesi kombëtar, kështu që britanikët organizuan një flotë ndërkombëtare e cila, në 1827, fundosi flotiljen kryesore otomane në betejën e Navarinos. Pas shekujsh nënshtrim, Greqia ishte më në fund e lirë”. Ky është një shtrembërim i madh – dhe Greqia nuk ishte e lirë.

Harari urren “kulturën liberale moderne”, por sulmi i tij është një karikaturë dhe i kthehet në bumerang. Humanizmi liberal, thotë ai, “është një fe”. Ai “nuk mohon ekzistencën e Zotit”; “të gjithë humanistët adhurojnë humanizmin”; “një hendek i madh po krijohet mes parimeve të humanizmit liberal, dhe zbulimeve më të fundit të shkencave të jetës”. Kjo është marrëzi. Eshtë gjithashtu e trishtë të shohësh të madhin Adam Smith, që paraqitet edhe një herë si apostull i babëzisë. Gjithësesi, Harari ka ndoshta të drejtë se “vetëm një kriminel blen një shtëpi… duke dorëzuar një valixhe me kartëmonedha”…

The Guardian – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply