500 euro për 18-vjetor… për të blerë libra
Çfarë do të dëshironit të merrnit si dhuratë për 18-vjetor? E sigurt që pjesa më e madhe e të rinjve do të përgjigjeshin: bizhu, veshje, pushime, makinë… ose, tek e fundit, para’. Pikërisht këtë ka ndërmend të bëjë qeveria italiane: t’u dhurojë të rinjve 500 euro për 18- vjetorin e tyre. Por… nuk është kaq e thjeshtë.
I quajtur “bonus kulturor”, kjo shumë mund të shpenzohet vetëm për të blerë libra, si dhe bileta për në teatro dhe muze.
Dija të pasuron jetën; kultura bashkon njerëzit dhe për t’ua rrënjosur në vetëdije të rinjve qeveria italiane ka ndërmarrë këtë projekt interesant dhe motivues, që do të nisë më 15 shtator të këtij viti.
Rreth 575,000 adoleshentë pritet të përfitojnë nga kjo skemë, që do t’i kushtojë qeverisë rreth 290 milionë euro. Megjithatë, politikëbërësit italianë mendojnë se këto do të jenë para të shpenzuara mirë, në emër të edukimit të brezit të ri.
Një nismë për t’u admiruar, për t’u kujtuar të gjithëve se librat vlejnë!