skip to Main Content

E shtrenjta motër…

images-1

Nga E.L.

Po të shkruaj nën peshën e mallit, mes lotëve që ngulmojnë të dalin nga sytë e verbuar pa të parë. Lufta ka mbaruar para një muaji, më 12 qershor 1999. Tanket serbe të blinduara me plumbat që na vunë në mish kanë ikur; rrobat e paraushtarakëve çetnikë më nuk i shohim të parakalojnë rrugëve si mishngrënës. NATO-ja ka ardhur si engjëll këtu. Dolëm për t’i pritur; edhe lule u dhamë, ashtu siç dimë ne shqiptarët të shprehim mirënjohje për ata që na zgjasin dorën. Mes shtëpive të bëra shkrumb e hi, mes këpucëve të vetme të më të dashurve tanë nëpër oborr e mes arnave të këmishëve që na i lanë në gjak, prapë vjen erë lirie. Ne jemi të gjithë mirë. Edhe vëllai ynë i vogël është mirë. Motër, më thuaj, ti si je? Fëmijët janë mirë? Ah, çfarë malli po na shtrëngon në gjoks, sikur ta dije! Më ’91-n, kur u largove në mërgim, thurnim shpresa se do të shiheshim shpejt, por u mashtruam. Të kemi pritur gjatë tek porta e dyerve aty tek qoshja e shtëpisë, por ti s’u shfaqe. Të pritëm deri kur na nxorën nga shtëpia e na bënë t’i përgjërohemi maleve që të na strehojnë. Thonë se largësia i bën njerëzit të harruar, por malli për ty na e thotë të kundërtën. E mban mend atë lodrën si arushë që na e pati dhuruar babai? Ende e kam. E pata mbajtur në dorë gjatë tërë luftës. Fletoret ku i shkruanim dëshirat na janë djegur të gjitha. Edhe ngjyrat që i përdornim për të pikturuar kinse trëndafila. Por, më e rëndësishmja, ne ende marrim frymë. Motër, shpresoj që këtë letër prej shpirti të jesh duke e lexuar. Ne ende po të presim. Vëllai ynë në shtator do të fillojë klasën e katërt. Presim që të vish e ta dërgojmë bashkë, si thua? Mos harro kurrë se të duam shumë. Jemi larg me trup, por me shpirt gjithmonë jemi aty, pranë teje. Motër, eja në tokën tënde ku u përkunde, në Kosovën tënde të shkrumbuar, por që ende jeton, mes të shtrenjtës dhe të paçmueshmes liri.

Motra jote e vogël,

Kosovë, 17 korrik 1999