“Letra e harruar”
Në një barkë në brigjet e Senës, gjendet një librari lundruese fare e veçantë, me emrin “Farmacia letrare”, një vend kulture, ku librat nuk janë thjesht për lexim. Zhan Perduja, librashitësi i saj, mendon se çdo libërështë balsam për shpirtin dhe çdokujt që hyn në librarinë e tij, si një shërues i mirë, i jep librin e duhur për çdo vështirësi në jetë. I vetmi njeri që, me sa duket, nuk po gjen shërim përmes letërsisë është ai vetë: prej njëzetenjë vjetësh, ai jeton me kujtimin e së dashurës së tij Manonit, e cila ishte zhdukur një ditë krejt papritur duke i lënë vetëm një letër. Atë letër, Zhani “e harroi” me dashje, sepse ai e kishte dashuruar Manonin me gjithë shpirt, duke lënë veten krejtësisht pas dore e duke iu përkushtuar dashurisë së tyre sublime.
Ai nuk pranon ta lexojë letrën, e di që Manoni ka zgjedhur lumturinë në krahët e të shoqit dhe për të fillon një jetë pa dashuri, i mbërthyer në një botë të trishtë, ku mendon vazhdimisht për të. Por një ditë, falë Katerinës, letra do të dalë përsëri në skenë, pas 20 vjetësh, e paprekur dhe më së fundi Zhani zbulon që Manoni ka ikur prej tij jo se nuk e donte më, por për shkak të një problemi të rëndë shëndetësor. Ky zbulim rastësor e i dhimbshëm për të dashurën e tij do ta shtyjë të lërë brigjet e Senës dhe të ndërmarrë një lundrim nëpër lumenjtë e Provansës së bukur, një udhëtim i mbushur me ngjyra, aroma e shije të paharrueshme. Me të do të bashkohet Maksi, një shkrimtar i ri e i famshëm në kërkim të dëshpëruar të frymëzimit, si dhe Salvatore Vitale, një italian ëndërrimtar e simpatik.
Një nga librat më të shitur në mbarë botën, “Letra e harruar” është një himn i mrekullueshëm për librat dhe dashurinë.