skip to Main Content

Libri i javës: “Krijesa të një dite dhe rrëfenja të tjera të psikologjisë”

14232423_1192045914167042_7714114600436178936_n

Çfarë e bën jetën të vlefshme për t’u jetuar? Çfarë mund të bëjmë për t’u dhënë kuptim ditëve tona? Gjatë karrierës së tij të gjatë, autori Irvin Jalom i ka nxitur pacientët dhe lexuesit të përballen me dy sfidat madhore: të gjithë do të vdesim një ditë dhe e kemi vetë në dorë ta bëjmë kuptimplotë jetën tonë.
“Krijesat e një dite dhe rrëfenja të tjera të psikoterapisë” ofron një përshkrim inteligjent e të dhembshur të shpirtit njerëzor. Dhjetë histori, ku pacientët përballen me ankthin për vdekjen, për humbjen e njerëzve të dashur dhe, më të fundit, për humbjen e vetvetes.
Një burrë i ri që përpiqet të largojë tmerrin nga vdekja përmes vitalitetit seksual; një i moshuar që lufton me kufizimet e plakjes dhe kapet pas spontanitetit rinor, që ofron horizonte të pakufizuara; një paciente që është duke vdekur kërkon të gjejë kuptimin e jetës; një infermiere që u shërben të tjerëve, por nuk mund të ngushëllojë veten; një grua që është e etur për një të shkuar më të mirë dhe një tjetër që vendos të bëhet “pioniere e vdekjes” për miqtë dhe familjen e saj…

“Gjëja më e rëndësishme që unë, ashtu si çdo terapist, mund të bëj, është që të ofroj një marrëdhënie shëruese autentike, nga e cila pacientët mund të marrin çfarëdolloj gjëje për të cilën kanë nevojë”,- thotë autori.
Në të gjitha rastet, pacientët në këto rrëfenja gjetën përmirësim në mënyra të parashikuara. Ndjenja e realitetit të thyer e një pacienteje ndreqet nga një takim autentik dhe i palëkundur me terapistin e saj. Një tjetër kupton që jeta e vërtetë jetohet në momentin e tanishëm. Një infermiere prezantohet me veten e saj më të mirë. Një shkrimtare e pashprehur gjen zërin e saj. Ditët e fundit të një pacienteje, që është duke vdekur, mbushen me domethënie kur ajo shërben si pioniere e vdekjes për miqtë dhe familjen e saj. Një paciente, që është gjithashtu edhe terapiste, kupton që diagnoza mund të dëmtojë dhe shtrembërojë të kuptuarit. Një pacient e gjen veten duke u matur me praktikën e një mendimtari të vjetër…
“Shpresoj që këto rrëfenja, që flasin për rikuperim, do të inkurajojnë ata që janë duke luftuar demonët e tyre. Shpresoj, gjithashtu, që këto histori do të rrisin ndërgjegjësimin e terapistëve për tema ekzistenciale. Në këto dhjetë histori unë i shoh pacientët që vuajnë nga sëmundje që i sfidojnë kategorizimet tradicionale”.