skip to Main Content

Babi, edhe një përrallë tjetër!

14720349_1233339513371015_2827375373275579653_n

Në çdo film të huaj, nëse në qendër të tij do të jetë një familje me fëmijë do të ketë patjetër një pjesë ku prindërit, nëna por më shumti babai, u lexojnë fëmijëve nga një përrallë para se të flenë. Ky nuk është një ritual që shërben thjesht për argëtim ose për t’i mbushur mendjen fëmijës që të flejë. Studimet tregojnë më shumë. Momenti pra gjumit, kur prindi i lexon fëmijës është shumë i rëndësishëm jo vetëm për lidhjen e fëmijës me prindërit, por edhe për zhvillimin e imagjinatës së tij.
Librat i mësojnë fëmijët se si të krijojnë lidhje edhe me personazhe të pazakontë; u lejojnë atyre të imagjinojnë se si do të ishin në vend të një personazhi të caktuar dhe u mësojnë të krijojnë simpati për një personazh më shumë sesa për të tjerët.
Ju mbase i keni harruar, por edhe ju vetë keni qenë të vegjël dhe ndërtonit në mendje subjekte imagjinare bazuar në përrallat e mrekullueshme që lexonit, krijonit një botë të re, fantastike.
Nga ana tjetër, leximi i librave fëmijëve të vegjël i ndihmon ata të ndërtojnë një perceptim të vetin mbi botën. Pikërisht kjo ka nxitur ndërmarrjen e një sërë nismave sensibilizuese në vende të ndryshme të botës për të promovuar leximin te fëmijët.
Leximi para gjumit është shumë përfitues për fëmijët, sidomos në moshën që ata ende nuk mund të lexojnë vetë. Së pari, fëmijët janë të entuziazmuar për orarin e gjumit, gjë që nuk ndodh shpesh. Por kur leximi bëhet zakon, fëmijët mezi presin të mësojnë pjesën e historisë që kanë lënë përgjysmë dhe mbi të gjitha ta dëgjojnë historinë nga nëna ose babai. Gjithashtu, kur prindërit nisin t’u lexojnë fëmijëve kur janë ende shumë të vegjël u mësojnë atyre të kuptojnë dhe të aftësohen me gjuhën para se të hyjnë në shkollë.

Pra, lexojuni fëmijëve sa më shumë. Në vend të një lodre blijini një libër. Huani libra për fëmijë dhe merrni hua nga miqtë tuaj, në të njëjtën mënyrë siç bëni me librat që lexoni vetë. Fëmija juaj do t’ju falënderojë!

Elona Qose