skip to Main Content

Kur Heminguej fitoi çmimin Nobel në Letërsi…

… dhe ambasadori amerikan lexoi fjalimin e tij në ceremoni

ernest-hemingway-1

Ernest Heminguej zgjodhi të mos merrte pjesë në ceremoninë e pranimit të çmimit Nobel në Letërsi, në Stokholm, më 10 dhjetor 1954. Ai i kërkoi ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Suedi, John C. Cabot, të lexonte fjalimin e tij të pranimit, i cili është bërë po aq i famshëm sa edhe çmimi që shkrimtari mori.

 Duke mos e pasur të lehtë të bëj fjalime, duke mos pasur as zotësinë për oratori, dëshiroj të falënderoj administratorët e Alfred Nobel-it për këtë çmim!

Asnjë shkrimtar, që njeh shkrimtarë të mëdhenj të cilët nuk e kanë marrë këtë çmim, nuk mund ta pranojë atë përveçse me përulësi. Nuk ka nevojë t’i rendisim këta shkrimtarë. Çdokush këtu mund të bëjë listën e tij në bazë të njohurive dhe ndërgjegjes së tij.

Do të ishte e pamundur për mua t’i kërkoja ambasadorit të vendit tim të lexojë një fjalim ku një shkrimtar thotë të gjitha gjërat që ka në zemër. Në ato çfarë ai shkruan, gjërat mund të mos jenë menjëherë të dukshme dhe në këtë rast ai është me fat.  Por në pjesën më të madhe ato janë të qarta dhe për rrjedhojë, edhe për shkak të shkallës së alkimisë që një shkrimtar zotëron, ai do të rezistojë ose do të harrohet.

Të shkruarit, në rastin më të mirë, sjell një jetë të vetmuar. Grupimet e shkrimtarëve e lehtësojnë vetminë e shkrimtarit, por dyshoj se e përmirësojnë cilësinë e të shkruarit të tij. Ai rritet para syve të publikut teksa shpërndan vetminë dhe shpesh puna e tij zvetnohet. Ai punon vetëm dhe nëse është një shkrimtar i mirë do të përballet me përjetësinë, ose mungesën e saj, çdo ditë.

Për një shkrimtar të vërtetë, çdo libër duhet të jetë një fillim i ri, ku ai përpiqet përsëri për diçka përtej të arritshmes. Ai gjithnjë duhet të përpiqet për gjëra që nuk i ka bërë më parë ose të tjerët kanë tentuar, por kanë dështuar. Ndonjëherë, me shumë fat, do të ketë sukses.

Kam folur shumë si shkrimtar. Një shkrimtar nuk duhet të flasë, ai thjesht duhet ta shkruajë atë që ka për të thënë. Sërish, ju falënderoj!

Elona Qose