skip to Main Content

Pyetja 1 milion dollarëshe pas Nobelit të Bob Dylan

2c9681a92c6c495dac068f827fc2238a

Shumë shkrimtarë nuk do të mendoheshin dy herë nëse do t’u ofrohej mundësia të merrnin afro 1 milion dollarë për të mbajtur një fjalim. Por Bob Dylan nuk është shkrimtari i zakonshëm, në të gjitha kuptimet e kësaj shprehje, ashtu sikurse e vunë në dukje edhe shumë kritikë që kundërshtuan vendimin e akademisë për t’i akorduar muzikantit të njohur çmimin Nobel në Letërsi.
Muzikanti amerikan nuk ka thënë asnjë fjalë në lidhje me çmimin e akorduar dy javë më parë. Publicistët e tij nuk i janë përgjigjur as akademisë së Nobelit dhe as medias. Në një moment të vetëm, në faqen zyrtare të artistit në internet, përkrah përmbledhjes me poezi, u shkrua: Fitues i çmimit Nobel në Letërsi! Të nesërmen ky përshkrim u fshi nga faqja.
Të frustruar, me të drejtë, anëtarët e akademisë e cilësuan (mos)veprimin e Dylan si shprehje arrogance. Historia njeh plot raste të artistëve, shkrimtarë, muzikantë, aktorë, që nuk kanë pranuar çmime të ndryshme, por pavarësisht egos së secilit, edhe nëse nuk kanë dhënë arsye, të paktën kanë thënë me një rresht se nuk e pranojnë çmimin e caktuar.
Rasti i Dylan është i veçantë. Për ata që njohin historinë e muzikës moderne dhe artistët që e kanë formësuar atë, nuk është lajm që Dylan ka një personalitet të vështirë, që sigurisht nga njerëzit e thjeshtë në shumë raste perceptohet si arrogancë. Siç duket, tani e mësoi edhe komuniteti i letrarëve.
Lajmi i fundit në lidhje me këtë çështje është që, sipas rregullave të Nobelit, fituesi duhet të mbajë një fjalim – në rastin e Dylan do të bëjnë një përjashtim dhe mund të mbajë një koncert – në të kundërt nuk do ta përfitojë shumën prej 900 mijë dollarësh që i akordohet çdo fituesi. Kjo shumë mund të ishte tunduese për ndonjë shkrimtar, por me katalogun e tij muzikor, që gjeneron të ardhura në mënyrë periodike, Dylan mund ta kishte varur kitarën në mur prej vitesh. Megjithatë, pavarësisht nëse Dylan do të prononcohet ose jo, akademia nuk e pranon refuzimin, çka do të thotë se emri i Bob Dylan do të listohet si fituesi Nobelit në Letërsi 2016, pavarësisht qëndrimit të tij.

E.Q.