skip to Main Content

“Skllavëria nuk u zhduk kurrë, thjesht tani përfshin të gjitha racat” – letra e Bukowskit për botuesin e tij

charlesbukowski1

Letra e Bukowskit për botuesin që e nxiti të bëhej shkrimtar me kohë të plotë

Ashtu si shumë shkrimtarë të tjerë të njohur, Bukowski nuk e bëri të shkruarin profesion deri vonë në jetë. Në mes të të 30-ave ai nisi punë në shërbimin postar amerikan. Edhe pse më vonë ishte vetë ai që tha se një punë e zakonshme ndërhyn në kreativitetin e një autori, për vite të tëra ai punonte ditën në zyrën e postës, ndërkohë që gjatë kohës së lirë shkruante për një revistë të vogël “Open City”. Në vitin 1969, në moshën 49-vjeçare, ai tërhoqi vëmendjen e një botuesi, John Martin, i cili i ofroi një shumë parash mujore vetëm që të hiqte dorë nga puna dhe t’i përkushtohej shkrimit me kohë të plotë. Bukowski pranoi. Më pak se dy vjet më vonë u botua libri i tij i parë, me titull “Zyra postare”.
17 vjet më vonë, në vitin 1986, Bukowski i dërgoi mirëbërësit të tij një letër falënderimi, në stilin e tij.

“Herë pas here njeriu duhet të kujtohet se nga vjen. Ti i njeh vendet nga vij unë. Njerëzit që përpiqen të shkruajnë apo të bëjnë filma për to nuk e kanë kuptuar kurrë. Me siguri e mban mend atë shprehjen time: “Skllavëria nuk u zhduk kurrë, thjesht tani përfshin të gjitha racat”.
Çfarë dhemb është dehumanizimi i njerëzve në përpjekje për të ruajtur vendin e punës, sepse… e di, është tjetri gati. Ata kthehen në trupa të mbushur me frikë. Sytë e tyre e humbasin shkëlqimin dhe ata thjesht shëmtohen, tërësisht. Si i ri nuk e besoja se njerëzit do të bënin kompromise të tilla. Edhe si i moshuar ende nuk e besoj. Pse duhet t’i bëjnë? Për seks, makinë, për të paguar faturat apo për fëmijët? Për të njëjtët fëmijë që kur të rriten do të bëjnë të njëjtën gjë.
Ata nuk i paguajnë kurrë skllevërit që një ditë të jenë të lirë, por aq sa u duhet për të mbijetuar dhe të kthehen sërish në punë.

Ja ku jam unë tani, një i ashtuquajtur shkrimtar, por pasi çova dëm 50 vitet e para të jetës.
Megjithatë, fati im ishte që më në fund dola nga ato vende, pavarësisht sesa kohë u desh. Unë vazhdoj të shkruaj pavarësisht trupit dhe mendjes së plakur, por meqenëse nisa vonë i detyrohem vetes kaq gjë.
Arritja më e madhe për veten është padyshim fakti që nuk çova dëm gjithë jetën time.

Miku yt,
Hank”.

Përktheu: Elona Qose