skip to Main Content

Magjepsja nga misteri dhe fiksioni konspirativ

15319170_1287289251309374_8266881304030891644_n

Dy milionë njerëz e blenë romanin “Simboli i humbur” të Dan Brown vetëm gjatë javës së parë të botimit në vitin 2009. Numra fantastikë për vetëm një javë dhe duke marrë parasysh që Brown “është bërë copë” nga kritika dhe media për prozën e lehtë dhe stilin… pa stil, siç e kanë cilësuar shumë.
Atëherë, çfarë e bën veprën e Dan Brown kaq joshëse?
Arsyeja është kurioziteti mbi të fshehtat, kultet; është entuziazmi nga ajo që cilësohet si joshja nga misteri.
Të fshehtat e errëta, ato të mbyllurat dhe të ruajtura nga grupe të tërë njerëzish, ndër vite kanë intriguar shkrimtarët dhe lexuesit e tyre, nga letërsia antike greke te trilleri i sotëm modern.
Studiuesit kanë dhënë një përcaktim paksa provokues, kur e kanë cilësuar këtë lloj letërsie si një nën-zhanër më vete, për shkak të evoluimit të saj, njëkohësisht me kultet, duke reflektuar në të njëjtën kohë rrethanat historike dhe një magjepsje të përgjithshme.
Në fakt, është e vështirë të vlerësosh sesa fansa të letërsisë së Dan Brown janë njëkohësisht të lidhur edhe me veprën e Euripidit. E megjithatë, ky i fundit, jo më pak se Brown, zgjoi interesin e popullit ndaj kulteve; në rastin e tij kërcënimet shkatërruese të kulteve mistike në Athinën e shekullit V para Krishtit.
Por në ndryshim nga Brown dhe të tjerë autorë modernë, Euripidi ishte i përqendruar jo aq shumë te kulti sesa te magjepsja pas tij; dëshira për të kuptuar misteret.
10 shekuj më vonë, me shfaqjen e templarëve, u shtua edhe kurioziteti. Ndër vite, templarët janë lidhur me kupën e shenjtë. Templarët u organizuan në vitin 1129 si një grup i vogël kristianësh që nisën një pelegrinazh në Jerusalem, me një detyrë të veçantë dhe të fshehtë. Pavarësia ekonomike dhe ligjore e templarëve mjaftonte për të ngritur një re enigme rreth tyre. Në 1312-shin, templarët u persekutuan, por jo para se të demonstronin fuqinë e tyre. Dhe shumë kanë ngritur pyetjen: Mos vallë templarët u zhdukën me qëllimin e vetëm që të rishfaqeshin vite më vonë, si masonë? Duket si teori e errët.
Lozha e parë masone u themelua në Londër në vitin 1717, duke celebruar demokracinë dhe dialogun. Dhe sërish, kur kisha iu vu kundër, kaq mjaftoi për të nxitur kureshtjen dhe për të hartuar dhjetëra skenarë misteri.
Magjepsja nga misteri është forcë lëvizëse. Sekreti më i fuqishëm, qendra magnetike e fiksionit konspirativ, është në fakt një sekret pa përmbajtje.

Elona Qose