skip to Main Content

Takim me Vetveten

Ftohtë!

Duart i dridheshin e dhëmbët i kërcisnin.Dimri këtë herë kish trokitur më herët në shpirtin e saj Atë ditë të acartë dhjetori, rrinte me trupin mbështeur në parmakun pas xhamit të ftohtë të dritares. Netë të gjata pa gjumë. Ishte kaq e turbullt sa asnjë mendimi s’i shkonte dot der në fund.
Prekte hera- herës fytyrën e zbehtë për të kuptuar në i përkiste më trupit të saj apo e kish braktisur e ndoshta i përkiste një tjetër dimensioni.
Asgjë s’kishte ndryshuar që prej një viti më parë. E njëjta perde, e njëjta panoramë, madje edhe papagalli brenda kafazit nuk i kish ndryshuar fjalët që përsëriste me zë çjerrë. Degët e pemës që zvarriteshin në strehën e shtëpisë krijonin të njëjtat figura imagjinare nga këndi ku ajo i shihte përherë. Rrugica para ballkonit të saj kompozonte të njëjtit tinguj nga zërat e fëmijëve që luanin të gëzuar.

Ajo që i zbehte ata tinguj hareje ishte ajo vetë…..

Mbylli sytë, e iku larg…….

Ju desh ca kohë që mendja e saj të ndalte aty ku duhej.
Ajo për të cilën ndërmorri udhëtimin ju shfaq qartë e me zë kumbues i foli:- Mirëserdhe! Poltroni i artë u shfaq si me magji pas trupit të saj të brishtë. Sikur ja kishin ndier lodhjen e madhe!
Lëshoi trupin mbi ndenjësen e butë. Rehati më të madhe s’kish ndier kurrë më parë. Ju duk vetja shumë e vogël para një ekrani gjigant në të cilin si zinxhir me hallka shumëngjyreshe ju shfaq jeta që nga lindja e deri më tash. Kur ngjarjet po beheshin edhe me të gjalla zeri kumbues i foli:- Tani zgjidh! Varet nga Ty në do të shtosh ose jo hallka të reja.

Heshti pak çaste, mblodhi forcat e foli:
Do te vazhdoj!
Atëherë mos shih vetëm pas xhamit të ngrirë të dritares, por shih përtej të pamundurës! Kur realiteti të shfaqet i errët e pa dritë, stilo për të veshje me ngjyra ylberi e ndriçje me dritën e mendjes tënde!
Kurrë mos u dorëzo! Dimri është i njëjtë për të gjithë. Nëse dëshiron aromë lulesh kërko! Do i gjesh lulëzuar edhe nën dëborë.

Ndjeu një dorë që i ledhatoi flokët butë. E njëjta dorë që e ledhatonte përherë, por tashmë ju duk mrekulli.

M. Gropa
Dhjetor 2016