skip to Main Content

Fashizmi i përjetshëm sipas Umberto Eco-s

“Në vitin 1942, në moshën 10-vjeçare, mora çmimin e parë rajonal të “Ludi Juveniles” (një konkurs për fashistët e vegjël italianë). Shtjellova plot retorikë temën “Duhet të vdesim për lavdinë e Musolinit dhe fatin e përjetshëm të Italisë?”. Përgjigjja ime ishte pozitive. Isha djalë i zgjuar.
***
Në prill 1945, partizanët morën Milanon. Dy ditë më vonë ata hynë në qytetin e vogël ku jetoja në atë kohë. Ishte një moment lumturie. Sheshi kryesor ishte mbushur me njerëz që këndonin me zë të lartë dhe valëvitnin flamuj.
Mimo, lideri i partizanëve, doli në një ballkon që binte mbi sheshin. Mezi po prisja fjalimin e tij, sepse e gjithë fëmijëria ime, në një farë mënyre, ishte shënjuar nga fjalimet e Musolinit, pasazhe të të cilave i dija përmendësh. Mimo nisi të fliste me një zë të ngjirur: “Qytetarë, miq, pas shumë sakrificave… ja ku jemi. Lavdi atyre që ranë për lirinë!”. Kaq! Ai hyri brenda. Truma bërtiti, partizanët ngritët armët lart, ndërsa unë mësova se liria e fjalës do të thotë shkëputje nga retorika.
***
Disa ditë më pas pashë ushtarët e parë amerikanë. Ishin afrikano-amerikanë. Janki i parë që takova ishte një burrë me ngjyrë, Joseph. Librat e tij komikë ishin plot ngjyra të ndezura dhe kishin aromë të mirë.
Njëri nga oficerët, kapiten Muddy, ishte i ftuar në vilën e dy vajzave me të cilat shkoja në shkollë. E takova në kopshtin e shtëpisë së tyre. Ai më dha çamçakëzin e parë, që e përtypa gjatë gjithë ditës dhe në mbrëmje e futa në një gotë me ujë që ta kisha edhe për të nesërmen.
Në maj dëgjuam se lufta kishte përfunduar. Gjatë muajve në vijim zbulova se rezistenca, më shumë sesa një lëvizja italiane, kishte qenë europiane. Pashë për herë të parë fotografi të Holokaustit, duke i mësuar kështu kuptimin përpara se t’i dija emrin.
Kuptova se nga çfarë kishim arritur të çliroheshim.
***
Mëngjesin e 27 korrikut 1943, sipas raportimeve në radio, fashizmi kishte rënë dhe Musolinin e kishin arrestuar. Imë më më dërgoi të blija një gazetë. Shkova te stenda më e afërt, por të gjitha gazetat kishin tituj të ndryshëm. Duke parë titujt, kuptova se të gjitha gazetat shkruanin gjëra të ndryshme. Bleva njërën prej tyre dhe lexova një tekst në faqen e parë, të firmosur nga pesë a gjashtë parti politike. Deri në atë moment unë kujtoja se çdo shtet kishte një parti të vetme, që në rastin e Italisë ishte Partia Kombëtare Fashiste. Në atë moment zbulova se në vendin tim disa arti të ndryshme mund të ekzistonin në të njëjtën kohë. Dhe meqë isha një djalë i zgjuar, kuptova menjëherë se kaq shumë parti nuk mund të formoheshin brenda natës, përkundrazi ato duhej të kishin ekzistuar për ca kohë në mënyrë klandestine.
Mesazhi në krye të gazetës celebronte fundin e sistemit diktatorial dhe kthimin e lirisë: lirisë së fjalës, lirisë së shtypit. Këto fjalë – “liri”, “pavarësi”,”diktaturë” – i lexova për herë të parë në kuptimin e tyre dhe u ndjeva i rilindur si një shtetas i lirë perëndimor.
***
Duhet të jemi të vëmendshëm që kuptimi i këtyre fjalëve të mos harrohet më. Fashizmi, ai që unë e quaj fashizmi i përjetshëm, është ende rreth nesh. Do të ishte shumë e lehtë nëse do të dilte dikush dhe të bërtiste me zë të lartë: “Unë dua të rihap Aushvicin”. Por jeta nuk është kaq e thjeshtë. Fashizmi mund të rikthehet i maskuar nën format më të pafajshme. Detyra jonë është ta zbulojmë dhe ta denoncojmë atë, çdo ditë, në çdo cep të botës.
Liria dhe pavarësia janë detyra pa afat të përcaktuar”.

Elona Qose