skip to Main Content

Roberto Saviano, shkrimtari i përndjekur italian

Ian Thomson

Roberto Saviano është i njohur për të gjithë italianët dhe jo vetëm. Sipas Umberto Eco-s, napoletani është një hero modern i Italisë. Paradoksalisht, sa më i famshëm bëhet, aq më e rëndësishme është që të jetë “i padukshëm”. Në vitet e fundit, Saviano ka qenë nën mbrojtje policore. Libri i tij bestseller “Gomorra”, në të cilin ekspozon mafian napoletane, e vuri në rrezik.
“Mafia do të jetë e famshme në rajonin e saj, por jo në skenën ndërkombëtare”,- shpjegon Saviano. “Libri im tërhoqi vëmendje mbi aktivitetet e saj të paligjshme”.
Djali i një mjeku napoletan dhe një gruaje xhenoveze, Saviano është shumë komod për t’u intervistuar. Me të mund të flasësh lirisht për çdo gjë, nga muzika klasike te realizmi në kinema.
Megjithatë, përtej dukjes është e lehtë të perceptosh ambicien e një shkrimtari që guxon të tregojë të vërtetën mbi pushtetin. Vetëm 585 persona në të gjithë Italinë janë nën mbrojtje nga shteti. Saviano është një nga ata që lëviz me roje të armatosur.
“Po të jetosh i mbyllur si kafshë herët a vonë do të kthehesh në kafshë. Jeta ime nuk është më e imja. Duket sikur çdo njeri përpiqet të më mashtrojë dhe jam gjithë kohën nën ruajtje”.
Jeta e tij ndahet mes ndërtesave policore, hoteleve dhe zyrave të prokurorëve. Udhëtimet me qëllime kërkimore për librin e tij të ri përgatiteshin në konsultim me karabinierët. Për ca kohë ka marrë antidepresantë. Jeta e tij nuk do të kthehet më kurrë si më parë.
Libri i tij i fundit, “Zero, zero, zero” (i sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”)
u dedikohet të gjithë karabinierëve.
Një investigim mbi shpërndarësit e drogës dhe vrasësit profesionistë, “Zero, zero, zero” është një raportim i fuqishëm, që ka shitur afro 1 milion kopje në Itali.
Sipas Savianos, kokaina e cilësisë më të mirë njihet si “zero zero zero”. Pse?
“Pluhuri më i mirë në treg, i butë, i lehtë, njihet me këtë emër sepse nuk ka papastërti, është pa përzierje”,- thotë Saviano.
“Në Britani qarkullon kokaina më e papastër në botë. Zakonisht përzihet me Levamisole, që përdoret në blegtori kundër krimbave intestinalë. Imagjinoni pak çfarë helmesh fusin njerëzit në trup!”
Kokaina është droga më fitimprurëse në botë. Ngarkesat kolumbiane janë të destinuara për tregun europian. Dhe, sigurisht, përfitimet nga droga lahen nëpërmjet qarkullimit bankar. “Çfarë ndodh në qytet, qëndron në qytet”- thotë një bankier londinez në “Zero, zero, zero”.

Në vjeshtën e 2008-s, një grup shkrimtarësh të njohur, mes të cilëve Orhan Pamuk, Dario Fo, Desmond Tutu dhe i ndjeri Günter Grass – shtuan emrat e tyre në peticionin në mbrojtje të Savianos, i cili shfaqej në të përditshmen “La Repubblica”: “Bosët napoletanë caktojnë Krishtlindjen si afatin e fundit për eliminimin e Savianos”.
“Nuk është se nuk kam frikë nga vdekja”,- thotë Saviano. “Por më shumë kam frikë të diskreditohem. Pasi të shkoj, do të ketë njerëz që do të thonë se i kam shpikur të gjitha apo se kam bërë plagjiarizëm” .
Duke buzëqeshur, Saviano firmos një kopje të “Zero, zero, zero” dhe ma zgjat. Roja i armatosur më ndjek me sy ndërsa dal nga hoteli.

Përktheu; Elona Qose