skip to Main Content

Zgjimi në mëngjes – Mark Aureli mbi punën dhe natyrën njerëzore

Në këto ditë ngricash, çfarë kanë të përbashkët njerëzit që ngrihen herët për të shkuar në punë? Asnjëri nuk do të dalë nga krevati. Zgjimi në mëngjes nuk është i lehtë për shumicën e njerëzve, por gjatë dimrit zilja e alarmit të kthehet në makth.
“Me justifikimin më të vogël askush nuk do të shkonte në punë”,- shkruante vite më parë John Steinbeck, ndërsa përshkruare rutinën e tij të punës gjatë krijimit të librit që do t’i jepte më vonë çmimin Nobel në Letërsi. Edhe ata, si në rastin e shkrimtarëve, për të cilët puna nuk është thjesht një mënyrë për të siguruar mbijetesë, por edhe një pasion dhe qëllim, mund të përfshihen nga padëshira për të nisur një ditë të re, me të njëjtën rutinë. Çfarë mund të bëjmë në ato ditë kur thjesht nuk gjejmë motivimin për t’u ngritur nga shtrati?
Gati 2 mijë vjet më parë, në një kohë kur puna nuk kishte ndonjë kuptim tjetër përveç sigurimit të jetesës, perandori romak, filozofi Mark Aureli, kishte një përgjigje për këtë pyetje.
“Në agim, kur përton të ngrihesh nga shtrati, përsëriti vetes: “Duhet të shkoj të punoj, si qenie njerëzore. Për çfarë duhet të ankohem nëse do të shkoj të bëj atë për të cilën jam krijuar? Apo jam krijuar për të ndenjur ngrohtë poshtë shtresave”.

Sigurisht që vetëm mendimi për të mos dalë nga shtrati të bën të ndihesh mirë, por Mark Aureli bënte pyetjen:
“Pra ti ke lindur që thjesht të ndihesh mirë, në vend që t’i bësh vetë gjërat, t’i përjetosh ato? Nuk i shikon bimët, zogjtë, kandrrat, bletët, që bëjnë secila punën e vet, duke ruajtur rendin natyror? Ndërsa ti nuk je i gatshëm të bësh detyrën tënde si qenie njerëzore? Pse nuk vrapon të bësh atë që natyra të kërkon?”
Sipas Mark Aurelit, qëllimi i qenies njerëzore është të shërbejë, të ndihmojë natyrën dhe të tjerët, të kontribuojë. Në të kundërt, njerëzit dështojnë në realizimin e qëllimit njerëzor dhe rrjedhimisht edhe në dashurinë për veten.
Nëse edhe ju, si unë, keni vështirësi të ngriheni herët, përsëritini vetes se nuk po shkoni të punoni thjesht për të mbushur tavolinën dhe t’i siguruar vetes gjërat bazike të mbijetesës, por edhe sepse po realizoni qëllimin për të cilin keni ardhur në jetë. Pavarësisht punës që bëni ju kontribuoni për të ruajtur rendin natyror.

Elona Qose