skip to Main Content

Gabimisht në ferr

– Paulo Coelho

Na ishte një herë një burrë që tërë jetën kishte bërë veç mirë. Kur vdiq, të gjithë menduan se do të shkonte në parajsë, i vetmi vend për një njeri që kishte përcjellë mirësi te të tjerët. Ai vetë, me thënë të drejtën, nuk ishte shumë i shqetësuar se çfarë do të ndodhte me të kur të ndahej nga kjo botë. Megjithatë, parajsa i ra për hise.
Në atë kohë, pritja në parajsë nuk ishte shumë efikase. Engjëlli që e priti i hodhi një shikim të shpejtë dhe nisi të kërkonte tek emrat. Kur nuk e gjeti emrin e tij, nuk e bëri të gjatë dhe e dërgoi drejt e në ferr.

Në ferr nuk të kërkon askush mjet identiteti. Burri hyri dhe qëndroi.
Disa ditë më vonë, Luciferi i tërbuar përshkoi portat e parajsës dhe kërkoi llogari te Shën Pjetri.
“Kjo që po bën me mua është terrorizëm”, – i tha. “Më dërgove poshtë një njeri që po më sfidon. Që në fillim sa erdhi ai nisi të dëgjonte të tjerët, duke i parë drejt e në sy, pastaj duke i këshilluar. Tani të gjithë kanë filluar të ndajnë mendimet dhe ndjenjat me njëri-tjetrin, duke u puthur e përqafuar. Nuk është ky ferri që dua. Të lutem, merre mbrapsht”.

Morali: Jetojeni jetën me sa më shumë dashuri në zemër dhe nëse gabimisht ju dërgojnë në ferr, djalli vetë do t’ju hapë rrugën për në parajsë!

Përktheu: Elona Qose