skip to Main Content

Thomas Edison, një fëmijë me të meta që u bë gjeniu i shekullit

Një ditë, Thomas Edison u kthye në shtëpi dhe i dha të ëmës një letër, të cilën ia kishte dhënë mësuesja.
E ëma e hapi dhe e lexoi, ndërsa sytë iu mbushën me lot. I hutuar, Thomas e pyeti nënën e tij se çfarë i shkruante mësuesja.
Ajo e lexoi letrën me zë të lartë: “Djali juaj është gjeni. Kjo shkollë është shumë e vogël për të dhe ne nuk kemi as burime të mjaftueshme dhe as mësues të aftë për ta mësuar atë. Ju lutem mësojeni vetë në shtëpi!”
Vite më vonë, nëna e Edisonit kishte ndërruar jetë, ndërsa ai njihej si jë nga shpikësit më të mëdhenj në histori.
Një ditë, ndërsa ishte duke rrëmuar ndër sende të vjetra të familjes, ai pa një letër. E mori, e hapi dhe e lexoi.
“Djali juaj është i sëmurë mendor dhe nuk do të lejohet të vijë më në këtë shkollë”, – shkruhej në letër.
Ishte e njëjta letër që mësuesja ia kishte dërguar të ëmës vite më parë.
Pasi e lexoi, Edison qau për orë të tëra, pastaj shkroi në ditarin e tij:
“Thomas Alva Edison ishte një fëmijë me të meta, i cili, falë një nëne heroinë, u bë gjeniu i shekullit”.

Përktheu; Elona Qose