Tre testet e Sokratit
Një ditë, Sokrati, filozofi i madh, takoi një të njohur, i cili rendi drejt tij i ngazëllyer dhe i tha:
– Sokrat, a e di se çfarë dëgjova për njërin prej studentëve të tu?
– Prit pak, – u përgjigj Sokrati. – Përpara se të ma thuash, dua të të bëj një test të vogël. Quhet testi tresh.
– Testi tresh?
– E saktë, – vazhdoi Sokrati. – Përpara se të më flasësh për studentin tim, le të testojmë për një moment se çfarë do të më thuash. Testi i parë është “e vërteta”. A je absolutisht i sigurt se ajo që do të më thuash është e vërtetë?
– Jo, – u përgjigj i njohuri, – në fakt sapo e dëgjova.
– Dakord, – tha Sokrati. – Pra ti nuk e di nëse është e vërtetë apo jo. Tani provojmë pyetjen e dytë, testin e mirësisë. A është diçka e mirë ajo që do të më thuash për studentin tim?”
– Jo, përkundrazi…
– Atëherë, – vazhdoi Sokrati, ti do të më thuash diçka të keqe për të, edhe pse nuk je i sigurt që është e vërtetë?
I njohuri ngriti supet, pakëz i zënë në siklet.
Sokrati vazhdoi: – Ke ende një shans për të kaluar sepse ka një test të tretë – filtri i dobisë. A do të jetë e dobishme për mua ajo që do të më thuash për studentin tim?
– Jo, në fakt jo…
– Atëherë, – e mbylli Sokrati, – nëse ajo që do të më thuash nuk është as e vërtetë, as e mirë, as e dobishme, pse duhet të ma thuash?