skip to Main Content

E vjetër sa koha – kur e bukura puth bishën

Në folklorin e vendeve të të gjithë botës gjejmë histori dashurie mes njerëzve dhe kafshëve. “E bukura dhe bisha” është një nga versionet më të njohura edhe për shkak të ekranizimeve të shpeshta. Pse kjo zgjedhje? Shumë studiues të folklorit shprehen se një gjë e tillë tregon se si njerëzit janë në gjendje të çmojnë më shumë karakterin sesa pamjen e jashtme.
Në dukje një përrallë, ku gjithçka mund të ndodhë, një nga arsyet pse e duam kaq shumë këtë rrëfenjë dhe e pranojmë është sepse ajo tregon pikërisht mbi zgjedhjet njerëzore; mbi njohjen e tjetrit përtej koracës, përtej formës kafshërore dhe afrimin e tij jo nëpërmjet frikës dhe horrorit, por nëpërmjet empatisë dhe pranimit.

Studiuesit mendojnë se rrëfenja u shkrua si një mënyrë për të përgatitur vajzat e reja për martesa të sajuara në shekullin e 18-të. Subjekti i saj mendohet të jetë një lloj reflektimi i ndryshimeve klasore në atë kohë. Ndërkohë, disa studiues të tjerë mendojnë se në fakt, rrëfenja është frymëzuar nga një histori e vërtetë. Sigurisht, nuk bëhet fjalë për një bishë të vërtetë. Bëhet fjalë për Petrus Gonsalvus, i lindur në shekullin e 16 në ishujt Tenerife, Spanjë. Petrus vuante nga një sindromë që i shkaktonte mbulimin e të gjithë trupit me qime. Nën mbrojtjen e mbretit të Francës, ai u martua me një parisiane të bukur të quajtur Kathrinë.

Elona Qose