skip to Main Content

Mjaft më!

Që në ditën e lindjes t’u bë e ditur se je e tepërt, dhe që s’ta kanë fort ngenë të dëgjojnë qarjet tua të kotsekotshme. Për fatin tënd të keq, erdhe në kohën, vendin, krahinen e familjen e gabuar. E nise jetën me një: Shshttt! Të rritën me ulërimen; Mos! Dhe duan t’a përfundosh, duke mos e jetuar atë.

Që në hapin e parë, t’u ndalua rreptësisht drejtimi që kishe marrë. Po ku mendoje të ikësh pa pyetur një herë, pa marrë leje? Duhej të ndaloje, të qetësohëshe dhe të prisje gjithmonë dike të të udhëheqe, sepse ti quheshe (dhe vazhdon të quhesh) e paaftë për të ecur vetë në rrugët e jetës.

Që në fillimet tua të para, t’u desh t’i mësoje përmendësh parimet e kësaj shoqërie të kalbëzuar. Duhej me doemos të bëheshe njësh me “ligjet” që mbanin erë të mykur nga lagështira e një kohe të largët, t’i ndiqje me besim e fanatizëm si bijë e kësaj “kulture” dhe tua përcillje brezave këtë traditë “të shenjtë” të skllavërimit të femrës.

E nëse për një çast të vetëm të gënjeu mendja se ja hodhe këtij maskilizmi idiotesk që kish mbërthyer te parët tuaj, gabove rëndë! Ai i ka rrënjët e ngulura thellë, në mendjen e pamend e shpirtin e pashpirt, të trasheguar si vlerë e moral që nga lashtësitë.

Të qarat e para t’i ndaluan me ulërima, ndaj nuk është aspak e habitshme që vazhdon të trembësh nga hija jote, sepse e ke friken të ngulitur gjer në palcë. Buzëqeshjën t’a kthyen në lot të fshehur e mallkim për vetveten e për jetën që të lindi grua. T’a sollën vjeshten pa njohur pranverën, nga frika e rilindjes tënde, duke qënë në dijeni të forcës shpirterore që mban shtrenguar nën kraharor. Ndaj, akoma pa lindur, u munduan të t’a perendojnë ëndrren.

Nga Fatmira Loci