skip to Main Content

Rikthim i fëmijërisë

Më viziton shpesh këto kohë.
S’di ç’po ndodh, veç ti më sjell mall.
Herë shfaqesh lulja margaritë në lëndinë,
herë flutura që lodron mbi bar.

Puhizë mbartur aromë kujtimesh.
Dallëndyshe që pranverave kthehesh sërish.
Re e pambukte që mbledh lotë trishtimesh.
Përqafim mbledhur trupit të brishtë.

Vjen lozonjare shkëlqen si vesë mëngjesi.
Syve t’fjetur vjen më pikon.
Ëndërr që gjembave t’viteve u grisën.
Trofe e artë që shpirtin gëzon.

Përse më viziton këtë fillimpranverë vogëlushe?
Përse ma shton mallin rrudhave thurur?
Si tringëllimë zane po më kujton,
jam brenda teje e nuk kam humbur!?

Melaize Gropa