skip to Main Content

Arkivi personal i Lasgush Poradecit, pasuri kombëtare

Trashëgimtaret e Lasgush Poradecit ia dhuruar të gjithë arkivin e poetit Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Më në fund studiuesit do të kenë në dorë veprën origjinale të Poradecit. Bëhet fjalë për 19 mijë 308 fletë dorëshkrime të Lasgush Poradecit, 8562 fletëshkrimi, 3662 fletë gazeta, 26 revista, 1606 fotografi dhe kartolina, 315 ftesa dhe telegrame, 296 partitura, 14 harta, 8 kartëmonedha, 11 dekorata, 7 certifikata, 12 pulla postare.
Ka qenë një dëshirë e hershme e Poradecit që dorëshkrimet e tij të ruhen në arkiv.
“Që në datë 23 tetor të vitit 1939, Lasgushi i shkruan Mitrushit kur ai ndodhej në Bukuresht: I dashur Dhimitraq, dorëshkrimet e mia mos u nxito t’i japësh në akademi aty në Rumani. Kujdestarja e tyre të jetë mëma Shqipëri, këtë dëshirë kam. Në Rumani mund t’i lësh me kusht të përkohshëm, vetëm në rast urgjence dhe rreziku. Zoti mos e dhënë ashtu”,- tha bija e Poradecit, Maria Gusho.
Dorëshkrimet janë në gjendje të mirë. Nga këto 20 mijë njësi kanë mbetur jashtë dy ditarë dhe një dosje dokumentesh nga periudha 10-vjeçare e studimeve në Grac, të cilat do të dorëzohen pasi familja t’i botojë brenda këtij viti, duke e çuar në 8 vëllime botimin e veprës së plotë.