skip to Main Content

Kur dashuronte Hemingueji… në shkollë të mesme

Betsy Fermano para ca kohësh vuri re emrin e gjyshes së saj në një ekspozitë për Ernest Heminguejin. Gjyshja e saj, Frances Elizabeth Coates, ishte shoqe klase me Heminguejin dhe për një kohë të shkurtër e dashura e tij. Fermano ishte e vetmja që e dinte historinë e kësaj romance… deri tani.
Romanca e tyre përfundoi me mbarimin e shkollës, por Coates kishte ruajtur letrat që shkëmbenin të dy.
Këto letra tregojnë një anë tjetër të Heminguejit që njohim nga krijimtaria e tij letrare. Ato janë shkrime tipike të një adoleshenti, që hera-herës përpiqet ë bëjë xheloze të dashuron.

Kur 19-vjeçari Heminguej u plagos gjatë Luftës së Parë Botërore, ai i shkroi të motrës duke iu lutur që t’i thoshte Frances t’i dërgonte një letër: “Thuaji që yt vëlla është buzë vdekjes. Thuaji që të më shkruajë. Thuaji që e dua”. Pavarësisht se ishte e dukshme se ndjenja ishte e njëanshme, Coates i ruajti letrat për vite të tëra, brenda faqesh gazetash me artikuj për jetën e Heminguejit: shkëlqimin e tij si shkrimtar, martesat e tij dhe vdekjen.
Letra e fundit që këmbyen daton në vitin 1927, pas lindjes së djalit të Heminguejit. Coates i shkroi se libri “Dhe dielli lind” i kishte pëlqyer shumë dhe se do të donte të takoheshin. Por, për fat të keq, edhe bashkëshorti i saj, shok shkolle me të dy, donte të takohej me të. Askush nuk e di nëse Heminguej iu përgjigj letrës apo nëse ata të dy u takuan më.

Elona Qose