Libri – ylberi në renë e jetës tënde
Maya Angelou
Atëherë kur duhet se dielli nuk do të shkëlqejë më, vër një ylber mbi re.
Shikoje, shikoje. Është një bibliotekë!
Në shekullin e 19-të, një poete afrikano-amerikane u frymëzua nga një formulim në librin e Gjenezës, ku thuhet se shiu i rrëmbyeshëm nuk kishte të mbaruar për kaq shumë kohë, sa njerëzit menduan se nuk të shpëtonin kurrë prej tij. Për t’i lehtësuar njerëzit, Zoti vuri një ylber në qiell.
Por poetja e shekullit të 19-të shkroi: “Jo, Zoti nuk e vuri ylberin thjesht në qiell. Ne e dimë që dielli, hëna, yjet… janë në kupën qiellore, por jo retë: ato mund të jenë kaq ulët e pranë sa mund të të zënë dritën. Kështu që Zoti e vuri ylberin në re, në mënyrë që në kohët më të këqija, më të zymta, më dëshpëruese, njerëzit të shohin pak… shpresë.
Pikërisht kjo është biblioteka.
[…]
Isha 8 vjeçe kur vura këmbë për herë të parë në një bibliotekë. E abuzuar dhe dhunuar, më kthyen në një fshat të vogël në Arkansas. Një zonjë me ngjyrë e kuptoi menjëherë se unë nuk flisja. Në fakt, refuzova të flisja. Për gjashtë vite me radhë isha memece. Gruaja e mirë më zgjati dorë një ditë dhe më çoi në bibliotekën e njerëzve me ngjyrë. Biblioteka nuk kishte më shumë se 300 libra, të gjithë të vjetër, të grisur, të zvetënuar si jeta jonë, pa kapakë. Librat ishin dhuratë nga biblioteka e shkollës së të bardhëve. Meqenëse shumicës u mungonte kopertina, fëmijët i lidhnin me copa pambuku shumëngjyrëshe.
“Dua të lexosh çdo libër në ndodhet këtu”, – më tha zonja.
Në atë moment, ato copa shumëngjyrëshe – si ylber – m’u dukën me mijëra. Sot në shtëpinë time, në bibliotekën time personale, kam më shumë se 4 mijë libra. Por në atë kohë mendova: Mund t’ia dal? Do të jem aq jetëgjatë sa t’i lexoj të gjithë? Nuk mund të them se i kuptova të gjitha se çfarë lexova, por di të them se i lexova të gjithë. Dhe sa herë hyja në atë dhomë të vogël si ylber, ndihesha e qetë, e sigurt…
Përktheu: Elona Qose