skip to Main Content

Diell, det dhe libra… çfarë të lexojmë për pushime

Erdhën pushimet… për disa të paktën. Dhe çfarë nuk duket të mungojë asnjëherë nën çadër? Kokteji, sigurisht! Por edhe ndonjë libër nuk do të ishte ide e keqe.
Periudha e pushimeve dhe libri janë të lidhur paszgjidhshmërisht, a thua se lexohet vetëm në plazh. Megjithatë, edhe kjo ka logjikën e vet, sepse është koha kur lëmë për pak angazhimet e përditshme.
Shumë njerëz mendojnë se një udhëtim është gjithmonë më i mirë nëse në valixhe ka diçka për të lexuar. Çfarë është veçanërisht e përshtatshme për t’u lexuar gjatë verës?
Për ne është ai lloj libri që të mban mbërthyer me anë të historisë, pa qenë detyrimisht i një niveli të artë artistik dhe mbi të gjitha pa kërkuar vënien në punë të mendimit të thellë. Zgjedhjet tona janë tërësisht subjektive, por gjithsesi jeni të lirë të përfitoni nga sugjerimet.

Një plus një – Jojo Moyes
Një tjetër hit i Moyes… një histori moderne dashurie e shkruar bukur nga autorja britanike më e mirë bashkëkohore, Jojo Moyes. Një romancë e ngrohtë me të cilën do të qeshni, do të qani dhe kur të shfletoni faqen e fundit do të donit të nisnit sërish nga e para.

Çështja e çuditshme e dr. Xhekillit dhe z. Haid – Robert L. Stevenson
Një kombinim tepër interesant i trillerit fantastik dhe i alegorisë morale, ku përshkruhet përballja e ashpër ndërmjet dy personaliteteve të kundërta të shpirtit të një njeriu: njëri në thelb i miri dhe, nga ana tjetër, i keqi.

Mikesha gjeniale dhe Mbiemri i ri – Elena Ferrante
Mbase nuk keni lexuar ende asnjë nga librat e Ferrantes, por e sigurt që keni dëgjuar për të: Emri i saj ishte kryefjalë e lajmeve letrate vitin që shkoi.
Motoja e këtyre librave mund të ishte “Asgjë nga vetja nuk mund të harrohet”: në botën e Ferrante-s, asnjë personazh nuk i shpëton dot së kaluarës së tij.

Marsiani – Andy Weir
Për të gjithë të apasionuarit pas fantashkencës, “Marsiani” është libri i duhur. Një jehonë e mendjes së ndritur të njeriut dhe shembulli më i pastër i fantashkencës së vërtetë, që nuk ishte parë për vite me radhë.

Lavjerrësi i Fukoit – Umberto Eco
Nuk është një roman në kuptimin e ngushtë të fjalës, ai është një grumbullim i vërtetë dhe i mrekullueshëm i informacionit, i përcjellë si një shaka, nga një mjeshtër që e manipulon shpikjen e tij – në fakt, një shaka e gjatë, erudite. “Lavjerrësin e Fukoit” mund ta quani pa frikë një triumf intelektual, përveçse një vepër artistike.

Fjalimet që ndryshuan botën
Antologji me 50 ndër fjalimet më të njohura në historinë botërore, nga kohë e vende të ndryshme. Fjalime që, sado të ndryshme, kanë shënjuar (për mirë a për keq) rrjedhën historike të kohës së vet, si dhe historinë e mëpasme shpirtërore, morale e politike të njerëzimit, duke formësuar botën në të cilën jetojmë ne sot.

Përveç titujve të mësipërme, ajo që nuk harroj t’ia këshilloj gjithkujt që më kërkon një mendim, jo vetëm në verë: Zgjidh atë klasikun për të cilin ke dëgjuar tërë jetën, që i jep fjalën vetes çdo vit se do ta lexosh, por nuk e ke bërë: koha është tani. Ai quhet klasik për një arsye.
Tjetra, jo më pak e rëndësishme: librat e huaj janë gjithmonë më joshës, por mos harroni letërsinë shqipe! Lexoni Kadarenë, Agollin, Kongolin, por edhe Irma Kurtin, Luljeta Lleshanakun, Flutura Açkën. Lexoni edhe rilindësit; mrekullohuni me poezitë e Lasgushit dhe me prozën e Kutelit. Të gjitha janë vlerë!
Pushime të mbara!

Nga: E. Qose