Për një d që ti s’e vë… gabime të famshme drejtshkrimore
Nëse jeni mbi 30 vjeç me siguri i mbani mend librat e botuar në periudhën e para viteve ’90: në fund të librit ishte bashkëngjitur një pasqyrë e gabimeve ortografike në tekst. Për ta shpjeguar më qartë: çdo libër kalonte në duart e redaktorit dhe korrektorit letrar para se të shkonte për shtyp. Qëllonte të kishin shpëtuar disa gabime të vogla (shumë, po shumë pak krahasuar me katrahurën e botimeve të mëvonshme). Këto gabime i viheshin në dukje lexuesit në faqen e fundit, duke shënuar edhe faqen përkatëse ku ishte bërë gabimi.
Për shumë vite, libri në vendin tonë ka vuajtur nga cilësia e dobët dhe niveli amatoresk i punonjësit të librit. Fatmirësisht sot kemi një panoramë tjetër. Megjithatë, gabimet ortografike është e pamundur të shmangen tërësisht. Tashmë prej vitesh në këtë profesion kam bërë paqe me këtë. Është pak a shumë si puna e atij thesit të miellit, shkunde sa të duash, ca grimca do të mbeten gjithmonë.
Por, po sikur t’ju thosha se disa gabime vlejnë mijëra lekë? Në fakt, euro ose dollarë sepse e kam fjalën për libra tashmë klasikë, botimet e të cilëve kanë pasur disa gabime flagrante, por janë shitur në ankand sa frëngu pulën.
Rasti më unik është kur shkruhet gabim emri i autorit. Dhe kjo i ka ndodhur autores së serisë “Harry Poter”. Në botimin e parë të librit të parë, emri i autores nga JK Rowling ishte shkruar JA Rowling. Por një nga kopjet e shtypura u shit për jo pak, por 10 000 paundë. Megjithatë ky nuk është gabimi më i shtrenjtë në historinë e magjistarit të njohur: një kopje ku fjala “filozof” ishte shkruar gabim në kopertinë u shit për mbi 43 000 paundë.
Pastaj janë edhe rastet kur gabimet lihen me dëshirë, si në rastin e Xhejms Xhojsit, i cili ndërsa i diktonte mikut të tij Samuel Beket novelën e tij të re, “Zgjimi i Fineganëve”, iu përgjigj trokitjes në derë me një: Hyr! Beket për momentin nuk e kuptoi dhe e shkroi. Edhe pse nuk kishte pikën e lidhjes, Xhojsi e pëlqeu dhe nuk e hoqi nga varianti final.
Por vendin e parë për gabime të rënda me siguri e mban një Bibël e vitit 1631, që sot gjerësisht njihet si Bibla e ligë. Arsyeja: te pjesa e 10 urdhëresave, në shumë prej tyre ishte harruar pjesëza “mos”, duke i këshilluar besimtarët të vrasin, të vjedhin dhe të kryejnë tradhti bashkëshortore!
Elona Qose