Kur Pushkini “i vë flakën” rrjetit…
Nuk ndodh shpesh që poetët romantikë të ndezin rrjetin. E megjithatë një gjë e tillë ka ndodhur me Pushkinin. Në një intervistë televizive, lideri i opozitës ruse Alexei Navalni, një nga kundërshtarët më të fortë të presidentit rus Vladimir Putin, sugjeroi se Aleksander Pushkini, në nga figurat më të rëndësishme të kulturës ruse, është gjerësisht i panjohur jashtë vendit të tij. Në veçanti, sipas Navalnit, njerëzit në Uzbekistan janë gati injorantë mbi krijimtarinë e poetit rus.
Ky koment nuk është pritur mirë sidomos nga populli uzbek. Pak minuta pas intervistës, mijëra komente në rrjete sociale kundërshtonin Navalnin. Dhe jo vetëm kaq, në një faqe në Facebook, të rinj uzbekë hodhën videot të tyre duke lexuar vargje të Pushkinit, disa prej tyre madje duke shtuar se e njohin gjuhën dhe kulturën ruse më shumë se shumë prej vendasve.
E kur dukej se gjithçka do të përfundonte këtu, një grup tjetër uzbekësh iu kundërvunë bashkëkombësve të tyre, duke argumentuar se do të ishte më mirë t’u kushtonin më tepër rëndësi kulturës dhe gjuhës vendase: “Edukoni fëmijët duke u mësuar atyre të vlerësojnë historinë dhe kulturën e vendit të tyre”.
Pushkini është një figurë e rëndësishme e letërsisë, që ndryshe nga ç’mendon opozitari rus njihet në të gjithë botën; krijimtaria e tij është pjesë e lëndëve shkollore.
Por çështja me uzbekët është më e thellë sesa thjesht njohuritë mbi një nga poetët më të rëndësishëm romantikë. Ky argument i kthyer në viral në rrjetin social Facebook dëshmon më tej ndikimin ende të fuqishëm të ish-Bashkimit Sovjetik gati tri dekada pas ndarjes.
Edhe pse Uzbeku ka gjuhën e vet zyrtare, rusishtja është ende gjerësisht e përdorur, madje është një plus për të rinjtë që duan të hyjnë në universitet. Dhe në një vend me ekonomi të dobët dhe nivel papunësie të lartë, shumë uzbekë ende zgjedhin të emigrojnë në Rusi.
Përgatiti: Elona Qose