skip to Main Content

Libra të një muaji vere…

… Thriller-at për t’u lexuar në plazh

 

E kush tha që vera është vetëm për romanca? Gjatë muajit të fundit, ne të botimeshqip ju kemi dhënë rekomandimet tona për librat që nuk duhet të humbisni këtë verë, ashtu sikurse jemi përqendruar në veçanti te romancat.
Që të jemi të sinqertë, këto të fundit janë më të kërkuarat dhe arsyet i kemi treguar më parë. Megjithatë, shumë preferojnë zhanre të tjera, jo dhe aq “limonadë”, siç quajnë shpesh romancat. Zhanri thriller gjithmonë tërheq: i shpejtë, plot pyetje dhe të mban të mbërthyer deri në faqen e tyre. Për të gjithë ju që ende nuk e keni bërë gati çantën e udhëtimit për pushimet në bregdet (dhe jo vetëm), ja librat që do t’i bëjnë më interesante pushimet tuaja.

E vërteta mbi çështjen Herri Kjubert

Verë 1975. Nola Kellergan, një vajzë 15-vjeçare zhduket në mënyrë misterioze në qytezën e qetë të Aurorës, New Hampshire. Kërkimet e policisë nuk japin asnjë rezultat. Pranverë 2008, New York. Markus Goldman, një shkrimtar i ri i suksesshëm po përjeton një nga rreziqet më të mëdha të zanatit të tij, është bllokuar dhe nuk mund të shkruajë asnjë rresht në romanin që duhet t’i dorëzojë botuesit të vet.

Binjakja e heshtur


Dy motra binjake. Njëra prej tyre vdes? Por cila?
Një roman hipnotizues i paharrueshëm. Një histori ku asgjë nuk është siç duket dhe ku gjithçka që na jep siguri në jetë, mund të thyhet si një pasqyrë shumë e brishtë.

Hije mbi liqen


Është historia e një gruaje që kërkon të sfidojë kohën, burrat dhe me këmbënguljen dhe besimin tek e vërteta ia del. Stefani Valenti është një grua që e do jetën dhe nuk resht së ndjekuri gjurmët e së vërtetës, si për të na treguar besimin te shenjat. “Hije mbi liqen” është vetëm pjesa e parë e një sage romanesh policeske, ngjarjet e së cilës do të shtrihen në Komo.

Vajza në rrjetën e merimangës


Një hacker-e gjeniale, që përherë ka qëndruar në hije. Një gazetar me një prirje të theksuar ndaj rrezikut. Ajo është Lizbetë Salanderi, vajza me një tatuazh dragoi. Ai është Mikael Blomkvisti, kryeredaktori së famshmes revistë investigative “Millenium”.

Çështja Karavaxho


Gabriel Aloni, restaurues veprash arti dhe agjent sekret, ndodhet në Venecia, ku policia italiane i bën një kërkesë të pazakontë. Tregtari i veprave të artit, Xhulian Isherudi, është përballur me një skenë drithëruese krimi dhe po mbahet si i dyshuar. Viktima është një ish-agjent, i cili ruan një të fshehtë; ai është trafikant veprash arti në shërbim të një koleksionuesi misterioz. Për të shpëtuar mikun e tij, Gabrieli duhet të gjurmojë pikturën më të kërkuar në botë: “Lindja e Krishtit me Shën Françeskun dhe Shën Lorencin” nga Karavaxho.

Përgatiti: E. Qose