skip to Main Content

Nëse doni që fëmijët tuaj të bëhen inteligjentë, lexojuni përralla…

… Që të jemi të sinqertë, asnjë prind nuk i lexon fëmijës përralla me qëllimin për ta bërë inteligjent, por kur argëtimit dhe kuriozitetit, i shtohet edhe nxitja mendore atëherë e dimë që jemi në rrugë të mbarë.
Poetja polake, fituese e çmimit Nobel në Letërsi, Wisława Szymborska, në një ese të shkurtër mbi fuqinë e rrëfenjave beson te dobishmëria e frikës që përcillet nga rrëfenjat.
“Fëmijëve u pëlqen të frikësohen nga përrallat. Ata kanë një nevojë të lindur për të përjetuar emocione të fuqishme. Hans Kristian Andersen i frikësonte fëmijët, por jam shumë e sigurt se askush nuk e urreu për këtë, as kur u rritën. Rrëfimet e tij të mrekullueshme mbi qenie të mbinatyrshme, kafshë që flasin, shtriga… të frikësojnë e të mrekullojnë në të njëjtën kohë. Personazhi më i shpeshtë në rrëfenjat e tij është vdekja. Anderseni i merrte seriozisht fëmijët. Nëpërmjet përrallave që krijoi, ai u foli atyre jo vetëm për aventurat e gëzueshme, por edhe për mjerimin, vuajtjet, dyshimin, Rrëfenjat e tij, të mbushura me krijesa fantastike, janë më realiste se të gjitha krijimet moderne për fëmijë të marra së bashku. Anderseni kishte kurajën të shkruante histori me fund jo të lumtur dhe t’i shkruante histori të tilla për fëmijë. Ai nuk besonte se njeriu duhet të përpiqet të bëjë mirë sepse çdo e keqe paguhet në një mënyrë a një tjetër (siç moralizon pjesa më e madhe e krijimeve të sotme për fëmijë, edhe pse jo domosdoshmërisht një gjë e tillë rezulton e vërtetë), por sepse e keqja është një formë varfërie mendore dhe shpirtërore që duhet të zhduket”.

Përgatiti: Elona Qose