skip to Main Content

Delfi: Sekretet e Orakullit në “kërthizën e botës”

I emërtuar sipas gjarprit të madh, ky gardian i zgjedhur u quajt Pitia – Orakulli. Komunikimi me një perëndi nuk qe një gjë e vogël, dhe jo gjithkush mund të lejohej ose t’i besohej për të shërbyer në atë pozitë të nderuar. U vendos që një virgjëreshë e re dhe e ndershme, do të ishte më e përshtatshmja për një rol të tillë hyjnor. Megjithatë, nuk kishte një pengesë – vajzat e bukura të reja qenë të prirura për të tërhequr vëmendjen negative ndaj burrave që kërkonin këshillin e tyre, çka bëri që në jo pak raste orakujt të rrëmbeheshin dhe përdhunoheshin. Gratë e moshuara, të paktën 50-vjeç, filluan të zënë vendin e tyre, dhe si një kujtesë e asaj që duhet të ishte, ato do të visheshin me rrobat e lashta virgjërore

Greqia e lashtë ishte një botë e dominuar nga meshkujt. Burrat mbanin pozitat më të larta në shoqëri, ata luftonin në fushën e betejës dhe sundonin perandoritë e forta. Megjithatë, të gjithë ata burra, nga fshatari më i thjeshtë deri tek vetë perandori, kërkonin këshillat e një personi – dhe ky person qe një grua. Qyteti i Delfit kishte një traditë të gjatë të të qënit në qendër të botës; thuhej se vetë Zeusi e quajti atë kërthiza e Gaias (botës).
Sipas legjendës, një gjarpër i madh, i quajtur Piton, ruajti vendin para se të vritej nga zoti i mitur Apolloni. Kur shigjeta e Apollonit e shpoi tejpërtej gjarprin, trupi i tij ra në një çarje dhe tymi i madh doli nga e çara teksa trupi u shpërbë. Të gjithë ata që ndaleshin para kësaj të care, binin papritur në një gjendje të dhunshme ekstaze.

Në këtë gjendje, besohej se Apolloni do të zotëronte personin dhe do ta mbushte atë me praninë hyjnore. Këto dukuri karakteristike tërhoqën adhuruesit e Apolloni gjatë epokës mikenase, dhe ngadalë por me siguri ai u shndërrua në një vend të shenjtë, dhe më pas, gjatë shekullit VII-të P.E.S, në një tempull. Aty do të shërbente një person i vetëm, i zgjedhur për të shërbyer si urë ndërmjet kësaj bote dhe tjetrës.

I emërtuar sipas gjarprit të madh, ky gardian i zgjedhur u quajt Pitia – Orakulli. Komunikimi me një perëndi nuk qe një gjë e vogël, dhe jo gjithkush mund të lejohej ose t’i besohej për të shërbyer në atë pozitë të nderuar. U vendos që një virgjëreshë e re dhe e ndershme, do të ishte më e përshtatshmja për një rol të tillë hyjnor. Megjithatë, nuk kishte një pengesë – vajzat e bukura të reja qenë të prirura për të tërhequr vëmendjen negative ndaj burrave që kërkonin këshillin e tyre, çka bëri që në jo pak raste orakujt të rrëmbeheshin dhe përdhunoheshin.

Gratë e moshuara, të paktën 50-vjeç, filluan të zënë vendin e tyre, dhe si një kujtesë e asaj që duhet të ishte, ato do të visheshin me rrobat e lashta virgjërore.

Këto gra zgjidheshin shpesh nga priftëreshat e tempullit të Delfit, por gjithashtu mund të ishte cilado vendase e respektuar e Delfit. Gratë e arsimuara fisnike, çmoheshin më shumë për këtë detyrë, por këtë rol mund ta kryenin edhe fshataret.

Ato Pitia të cilat qenë të martuara më parë, ishin të detyruara të hiqnin dorë nga të gjitha përgjegjësitë e familjes, dhe madje edhe identiteti i tyre individual. Të ishe një orakull, do të thoshte të merrje një rol të lashtë dhe me rëndësi jetësore – një detyrë që kapërcente edhe vetveten, dhe hynte në legjendë. Pitiat ishin aq të rëndësishme për Perandorinë greke, sa që ishte e domosdoshme që ato të ishin një pa angazhime, dhe që fëmijët, bashkëshortët dhe çdo lidhje e jetës së mëparshme duhej ndërprerë në favor të Apollonit dhe hyjnisë.

Arsyeja për rritjen e rëndësisë së orakujve qe e thjeshtë – Pitia jepte përgjigje. Për një qytetërim ambicioz dhe fetar, kjo lidhje shumë pamore dhe zanore me perënditë, është trajtuar me respekt të madh. Për nëntë muajt e ngrohtë të çdo viti, në ditën e shtatë të çdo muaji Pitia do të pranonte pyetje nga të gjithë anëtarët e shoqërisë greke. Kjo përputhej me besimin se Apolloni e braktiste tempullin gjatë muajve të dimrit.

Pasi u ‘pastronin’ përmes agjërimit, duke pirë ujë të shenjtë dhe u larë në Burimin Kastalian, Pitia do të pozicionohej mbi një fron me tri këmbë, duke mbajur një tufë dafinash në njërën dorë dhe një pjatë me ujë burimi në tjetrën. E pozicionuar mbi të çarën, avujt e gjarprit të lashtë të mposhtur do të binin mbi të, dhe ajo do të hynte në mbretërinë e hyjnores.

Njerëzit vinin nga ana e anës për të biseduar me gruan, që do të mund të komunikonte me perënditë. Të njohur si konsulentë, shumë nga ata që dëshironin t’i bënin pyetje orakullit do të udhëtonin për ditë ose edhe javë për të arritur në Delfi. Pasi mbërrinin do t’i nënshtroheshin një shqyrtimi nga priftërinjtë, të cilët do të përcaktonin rastet e vërteta dhe t’i udhëzonin ata se cila qe mënyra e duhur për të formuluar pyetjet e tyre.
Ata që pranoheshin iu duhej më pas t’i nënshtroheshin një shumëllojshmërie traditash, si mbajtja e kurorave me dafina në tempull. Konsulentet inkurajoheshin të jepnin edhe një shumë të caktuar monetare, si dhe sakrifikonin një kafshë. Pasi kjo e fundit flijohej, do të studioheshin të brendshmet e kafshës. Nëse shenjat shiheshin si të pafavorshme, konsulenti mund të dërgohej në shtëpi.

Më në fund, konsulentit i lejohej t’i drejtohej Pitias me pyetjet e veta. Sipas disa dëshmive, duket se orakujt jepnin përgjigje, ndërsa të tjerët raportojnë se Pitia do të thoshte fjalë të pakuptueshme dhe priftërinjtë do t’i “përkthenin” ato në vargje. Pasi merrte përgjigjen e tij, konsulenti do të udhetonte drejt shtëpisë duke vepruar sipas këshillave të orakullit.

Kjo qe edhe pjesa më e ndërlikuar. Orakulli priste një numër të madh vizitorësh gjatë 9 ditëve që ishte në dispozicion, nga fermerët e dëshpëruar për të ditur rezultatin e të korrave, tek perandorët që pyesnin nëse duhej të fillonin luftën kundër armiqve të tyre, dhe përgjigjet e saj nuk qenë gjithmonë të qarta.

Përgjigjet, apo përkthimet e tyre nga priftërinjtë e tempullit, shpesh dukeshin të formuluara qëllimisht, në mënyrë që pavarësisht rezultatit, orakulli të kishte gjithmonë të drejtë. Ishte thelbësore për konsulentin të mbante parasysh me kujdes fjalët e saj, përndryshe rrezikonte të korra të keqija, apo edhe humbjen e një ushtrie të tërë.
Kur Kroesusi, mbreti i Lidias, e pyeti orakullin nëse duhej të sulmonte Persinë, ai mori përgjigjen: “Nëse kalon lumin, një perandori e madhe do të shkatërrohet”. Ai e pa këtë si një shenjë të mirë dhe nisi përgatitjen për luftë pushtimin e Persisë. Mjerisht, perandoria e madhe që u shkatërrua ishte e veta. Kësisoj, orakulli, ashtu si perënditë, qe e pagabueshme, dhe reputacioni i saj hyjnor u rrit. Të vije në dyshim orakullin, ishte si të kishe dyshime mbi perënditë – dhe kjo qe e paimagjinueshme. Shumë shpejt, asnjë vendim i madh nuk merrej pa u konsultuar me orakullin e Delfit. Dhe nuk  ishte vetëm populli grek, por edhe personalitete të huaja, udhëheqës dhe mbretër që udhëtonin për në Delfi, për të patur shansin t’i drejtonin orakullit një pyetje. Ata që mund ta përballonin, paguanin shuma të mëdha parash për një kalim të shpejtë nëpër linjat e gjata të pelegrinëve dhe zakonshëm. Duke përdorur këto donacione, tempulli u rrit në madhësi dhe rëndësi.

Shpejt, Delfi duket se po përmbushte profecinë e vet për të qenë qendra e botës, dhe tërhequr vizitorë për lojërat Pitiane, pararendëset e Lojrave Olimpike. Nën ndikimin e deklaratave të Orakullit, Delfi u bë një qytet-shtet i fuqishëm dhe i begatë. Orakulli u vendos në qendër jo vetëm qytetit të Delfit, por vetë perandorisë së madhe greke. Asnjë vendim i rëndësishëm nuk merrej pa u konsultuar me të, dhe kështu, për gati një mijë vjet, pozita e ndoshta ndikimi më i madh politik dhe social në botën e lashtë u zu nga një grua.

Që nga shfaqja e shkencës në shoqëri, është kërkuar një shpjegim shkencor për gjendjet vizionare të ekstazës nga ana e Pitias. Një nga dëshmitë më të vlefshme të gjendjes trans të orakullit vjen nga Plutarku, i cili shërbeu si prift në tempullin e Delfit. Ai përshkroi se si gazet erëmira që dalin nga e çara, do t’i shkaktonin priftëreshës një ekstazë të çuditshme. Dukej se kishte diçka të vërtetë në dëshminë e Plutarkut, pasi kur arkeologët studiuan rrënojat e tempullit ata zbuluan disa tipare karakteristike.

Për shembull, streha e brendshme ku ulej Pitia u ul, gjendej 2-4 metra nën nivelin e katit përreth, dhe kishte edhe një kanal aty pranë për ujin e burimit. Kjo strukturë ishte unike në krahasim me çdo tempull tjetër të lashtë grek. E gjitha kjo provonte një gjë – që kishte patjetër diçka të çuditshme që ndodhte në tempullin e Apollonit.

Kuriozë për ekzistencën e çarjes së përmendur nga Plutarku, disa arkeologë francezë vendosën në vitin 1892 të rrëmojnë nën rrënojat e tempullit për të zbuluar një shpellë të lashtë apo një të çarë në tokë. Megjithatë, çuditërisht nuk gjetën asgjë të tillë. Nga viti 1904, u deklarua se tymi i tempullit që përmendte Plutarku, qe një mit i lashtë, dhe se nuk kishte ekzistuar kurrë realisht. Në vitin 1948, në Fjalor Klasik të Oksfordit lexojmë se: “Gërmimet e kanë bërë të pamundur teorinë post-klasike të një humnere me avujve mefitikë”.

Kjo besohej të ishte vërtetë deri në fund të viteve 1980, kur një ekip i ri i shkencëtarësh kuriozë vendosën të gërmojë sërish në rrënojat e tempullit. Shkëmbinjtë që zbuluan nën të, qenë gëlqerorë të yndyrshëm bituminoze, të copëtuar nga dy të çara që kalonin nën tempull. Kjo duhej të qe më shumë se sa një rastësi. Shkencëtarët teorizuan se lëvizjet tektonike dhe tërmetet e lashta, kishin shkaktuar fërkime përgjatë të çarave.

Të kombinuar me ujin e burimeve që gjendeshin nën tempull, gazet metan, etilen dhe etan do të shtoheshin nëpër të çarat në qendër dhe drejtpërdrejt, në tempull. Dhoma e ulët me ventilimin e saj të kufizuar dhe mungesën e oksigjenit ,do të ndihmonte në përforcimin e efektit të gazrave dhe shkaktote simptomat e ekstazës nga orakulli. Ishte sidomos gazi etilen ai që tërhoqi më shumë vëmendje.

Etileni është një gaz erëmirë, ashtu sikurse kishte raportuar edhe Plutarku, dhe në doza të vogla thuhet se ka aftësinë të shkaktojë një gjendje transi. Testet e kryera me etilen, tregojnë se një dozë më e lartë se 20 përqind mund të shkaktojë humbje ndjenjash; megjithatë, më pak se aq dhe pacienti qe në gjendje të ulej dhe t’u përgjigjej pyetjeve, edhe pse zëri u kishte ndryshuar. Ka pasur ndërkaq edhe raste të rrahjes, humbje të kujtesës dhe modeleve të ndryshimit të të folurit, të cilat përthuhen me dëshmitë e Plutarkut mbi orakujt.

Por siç është gjithmonë rasti me shkencën spekulative, kjo teori nuk është pranuar në mënyrë universale, dhe shkencëtarë të tjerë argumentojnë se gazet e tjerë si dioksidi i karbonit dhe metan janë përgjegjës për gjendjet haluçinogjene. Sido që të jetë, duket se përgjigja mbi çështjen misterioze të orakujve të Delfit, qëndron në strukturën e veçantë të tempullit dhe gjeografinë unike të vendit, të cilat bëhen bashkë për të prodhuar diçka vërtetë të spikatur. /

Në shqip nga bota.al