skip to Main Content

E ëmbla, e hidhura kafe

Esse nga Honore de Balzak

(Thuhet se shkrimtari pinte deri në 50 filxhanë me kafe në ditë)


Kafeja ka ndikim të madh në jetën time. I kam vëzhguar me kujdes efektet e kafesë. Shumë njerëz pretendojnë se kafeja i frymëzon, por në fakt, siç të gjithë e dinë, kafeja i bën njerëzit e mërzitshëm akoma më të mërzitshëm. Mendojeni pak: edhe pse është rritur numri i kafeneve në Paris që nuk mbyllen para mesnatës, shumë pak autorë janë bërë më frytdhënës.
Por… siç ka thënë saktë Brillat-Savarin (avokat dhe politikan francez, i njohur edhe për studimin e gastronomisë, shën. përk.), kafeja nxit qarkullimin e gjakut dhe stimulon lëvizjen e muskujve; shpejton procesin e tretjes, largon gjumin dhe rrit kapacitetin e njerëzve për të vënë në punë intelektin.
Fuqia e kafesë te njerëzit ndryshon me kalimin e kohës. Kompozitori italian Gioacchino Rossini i ka përjetuar disa nga këto efekte, ashtu sikurse edhe unë.
Kafeja, – më tha një herë Rossini, – të krijon një marrëdhënie prej 15-20 ditësh, koha e mjaftueshme për të shkruar një opera. Kjo është e vërtetë. Por periudha kohore gjatë së cilës mund të shijosh të mirat e konsumimit të kafesë mund edhe të zgjatet.

Për pak kohë, një javë, dy e shumta, mund të marrësh nxitjen e duhur nëpërmjet një ose dy filxhanëve me kafe. Për javën në vijim, mund të pish të njëjtën sasi kafeje, por duke zvogëluar sasinë e ujit dhe, gradualisht, me kalimin e ditëve, shton dozën e kafesë ose pi dy filxhanë me kafe njëkohësisht; në disa raste të veçanta mund të tolerohen edhe tre filxhanë. Në këtë mënyrë vijon të punosh për disa ditë.
Së fundmi kam zbuluar një metodë paksa brutale, që ua rekomandoj vetëm burrave me energji të skajshme: burrave me flokë të zinj e të fortë dhe me lëkurën të mbushur me shenja – simptoma të problemeve në mëlçi. Sekreti është pirja e kafesë, të rëndë dhe të ftohtë, në stomak bosh. Kafeja bie drejt e në stomak dhe vepron si ushqimi, duke nxitur aktivizimin e lëngjeve tretëse; e ndrydh stomakun kaq shumë sa nervat përcjellin drejt trurit ndjesitë e shkaktuara. Nga ai moment, gjithçka nis të ndryshojë.
Idetë duket sikur marshojnë si batalione të një ushtrie të madhe në frontin e luftës; kujtesa merr komandën; kavaleria e metaforave shpërndahet me galop madhështor; artileria e logjikës nxiton me potere; nën urdhrat e imagjinatës gjuajnë snajperët; format dhe karakteret marrin drejtqëndrim; letra pret bojën … dhe puna nis e mbaron me rrëketë e këtij uji të zi, ndërsa beteja nis e përfundon me pluhurin e zi.
Ia rekomandova këtë metodë të pirjes së kafesë një mikut tim, i cili duhej të përfundonte një punim në afatin e premtuar. Mendoi se do të helmohej.
Kur arrini të konsumoni këtë sasi kafeje, pastaj ndiheni i dërrmuar nga lodhja dhe vendosni të pini më tepër, edhe nëse është kafe e cilësisë më të mirë do të ligështoheni dhe, më e rëndësishmja, nervat nuk do t’ju përgjigjen më. Nuk e di se ç’ndodh përtej kësaj pike; logjika më ka bërë të ndaloj.
Pirja e kafesë në doza të larta dhe në stomak bosh të
krijon një gjendje të përgjithshme zemërimi: zë i lartë, ankth, padurim. Më ka ndodhur disa herë të dal me miq dhe ta humbas fillin, të debatoj dhe ankohem për çdo gjë. Shpejt e gjeta problemin: Kafeja donte viktimën e vet!

Përktheu nga anglishtja: Elona Qose