skip to Main Content

Jo vetëm plazh, Durrësi pret Panairin e Librit Shqip

Për 4 ditë me radhë, nga 3 deri në 6 gusht, qyteti i Durrësit pret Panairin Ndërkombëtar të Librit Shqip. Është viti i dytë që ky panair organizohet në Durrës duke u kthyer tashmë në një aktivitet tradicional për qytetin bregdetar. Në këtë panair që zhvillohet në shëtitoren “Taulantia”, buzë detit, marrin pjesë rreth 50 shtëpi botuese nga vendi dhe disa shtete të tjera. Ky është një event që i shërben zhvillimit të turizmit kulturor të Durrësit, i cili nuk ofron vetëm plazhet, detin dhe arkeologjinë, por tashmë çdo vit kthehet edhe në qendrën letrare mbarëkombëtare. E veçanta e këtij panairi është se libri shqip vjen jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe nga Greqia, Italia, Mali i Zi, Maqedonia etj. ku botohen në shqip vepra të shkrimtarëve shqiptarë.

Synimi i këtij panairi është ruajtja dhe përhapja e gjuhës së bukur shqipe në trevat shqipfolëse nëpërmjet librit dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se ky panair i shërben shkëmbimit të vlerave.

Risia e këtij viti është që shumë shtëpi botuese kanë botuar vepra letrare posaçërisht për këtë panair dhe këta tituj të rinj do të dalin për herë të parë për lexuesit durrsakë dhe pushuesit që ndodhen në Durrës. Ky panair ka bashkuar të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj., me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë. Panairi do të qëndrojë i hapur për 4 ditë nga ora 18:00 deri në orët e vona të natës.