skip to Main Content

Kur njerëzit vjedhin libra

E dini që ka njerëz që vjedhin jo nga nevoja, por sepse nuk e kontrollojnë dot dëshirën për të marrë gjëra që nuk u përkasin? Këta njerëz quhen kleptomanë. Të tillë janë në përgjithësi njerëzit që vjedhin libra. Bibliokleptomania është impulsi i pakontrolluar për të vjedhur libra.
Disa nga librat në shënjestër të hajdutëve janë seritë e JRR Tolkien, të George RR Martin, “Rruga” e Cormac McCarthy, librat e Beatrix Potter dhe Dr Seuss.
Megjithatë, rastet më të njohura të vjedhjes së librave janë ato të librave të vjetër. Dhe jo se janë fitimprurës; nuk është e lehtë të shesësh një libër të rrallë, sado i kushtueshëm të jetë. Më së shumti këta lloje librash i vjedhin ata që duan t’i lexojnë, janë kuriozë për ta ose thjesht i josh mendimi se po bëjnë diçka të palejueshme dhe frika se mos i kapin u rrit adrenalinën.

Një nga rastet më të famshme të vjedhjes së librave ka qenë ai i biznesmenit iranian Farhad Hakimzadeh, i cili griste faqe të librave të vjetër dhe të rrallë në bibliotekat britanike dhe i shtonte në librat e tij personalë për t’u rritur vlerën. Një nga faqet e grisur përmbante një hartë që vlente më shumë se 42 mijë dollarë. Farhad, më shumë se kleptoman, ishte biznesmen.

Një hajdut tjetër, Stanislas Gosse, përdori shkrime antike për të gjetur një mënyrë se si të hynte në Mont Sainte-Odile, një manastir francez në të cilin ruhen volume shekullore, disa prej të cilave ishin kaq të vjetra sa kishin kapak prej druri. “Pasioni im për librat e vjetër e mundi ndërgjegjen. Mund të duket si egoiste, por e ndieja sikur këta libra ishin të braktisur. Ishin kaq shumë të mbuluar nga pluhuri sa dukej se prej dekadash askush nuk i kishte hapur. Gjithashtu ishte edhe një aventurë më vete. Të jem i sinqertë, kisha shumë frikë se mos më zbulonin”, – tha Gosse në gjykatë.

Ndërsa John Mark Tillman nga Kanadaja kishte vjedhur ndër vite 1300 tituj librash dhe materiale të tjetra të vjedhura nëpër muze dhe biblioteka. Të gjitha sendet e vjedhura i kishte organizuar në shtëpinë e vet si të ishte një muze. Një koleksion i mrekullueshëm!

Përgatiti: Elona Qose