skip to Main Content

Kur shpërthente Vezuvi para syve të Hans Christian Andersen

Hans Christian Andersen revolucionalizoi mënyrën e rrëfimit me përrallat e tij të pakoha. Në  messhkurtin e vitit 1834, ndërsa udhëtonte nëpër Europë, 29-vjeçari Andersen u ndal në Napoli, tamam në kohën kur vullkani i Vezuvit ishte në gjendje aktive, me shpërthime të  njëpasnjëshme. Një aktivitet natyror që e magjepsi shkrimtarin dhe shënjoi krijimtarinë e tij të mëvonshme.

“Ishte si një puls, më i madhi, më i forti që kisha ndierë ndonjëherë. Një re tymi i zi u ngrit nga Vezuvi drejt qiellit blu. Çfarë ngjyrash në majë të malit! Ndërsa dielli ulej në horizont, llava e kuqe po shndriste…”, – shkruante Andersen në ditarin e tij më 18 shkurt.

“Në një moment, masa të mëdha tymi dolën nga maja e Vezuvit dhe më pas rrëke llave rrëshqisnin anës tij”.

Tani mund të duket si papërgjegjshmëri, por në kohën e Andersenit, Vezuvi aktiv ishte një atraksion turistik.

Gjashtë ditë më vonë, vullkani arriti kulmin e tij.

“Mbrëmja ishte kaq e bukur. Dielli u ul si një top zjarri duke lënë hije të arta nëpër blunë e qiellit. Një botë magjike që shpërfaqej e gjitha para meje. Dhe mali që shkëlqente nga llava e Vezuvit”.

Atë natë, Anderseni dhe një grup i vogël danez vendosën të ngjiteshin në mal. Një eksperiencë e frikshme dhe magjike në të njëjtën kohë. Në ditarin e tij, Andersen përshkruan se si arritën në të errur pranë majës, se si u zhyteshin këmbët në hirin e llavës së shpërthimeve të mëparshme, se si retë e mëdha të tymit u bllokonin shikimin dhe mushkëritë, derisa këmbët filluan t’u digjnin nga llava që ziente nën ta, duke i detyruar të ktheheshin.

“Yje të rënë, llava dukej si yje që binin nga qielli. Ndërsa ktheheshim, unë vijoja ta mbaja kokën mbrapa për të mos humbur këtë lojë të pakrahasueshme të natyrës”.

Elona Qose