skip to Main Content

Librat që ndryshuan botën: “Elementet” nga Euklidi

I shkruar në Aleksandri rreth viteve 300 para Krishtit, “Elementet” përmban 465 teorema, që tregojnë gjithçka grekët dinin në atë kohë mbi gjeometrinë. Në libër është përfshirë edhe teorema e Pitagorës. “Elementet” është libri më i rëndësishëm i matematikës i të gjitha kohërave jo për shkak të subjektit, por për të shkak të metodave revolucionare të arsyetimit. Libri nis me një listë: 23 përkufizime, 5 postulate, dhe 5 përcaktime të përgjithshme. Përkufizimet përshkruajnë objektet gjeometrike për të cilat ka shkruar Euklidi në libër. Postulatet shpjegojnë procedurat e lejuara, për shembull dy pika të dhëna mund t’i lidhim me një vijë. Ndërsa përcaktimet e përgjithshme shpjegojnë konceptet bazë, për shembull që nëse objekti A është njëlloj me objektin B dhe objekti B është njëlloj me objektin C, atëherë objekti A është njëlloj me objektin C.
Nga këto koncepte bazë, Euklidi ndërtoi godinën e madhe të dijes. Të gjitha teoremat në “Elementet” janë deduksione logjike. Ndryshe nga shkencat e tjera, ku modele dhe teori të reja zëvendësojnë të vjetrat, teoremat në “Elementet” kanë mbetur të vërteta edhe sot. Nga greqishtja libri u përkthye në latinisht dhe arabisht, duke pasur shumë ndikim në kulturën dhe shkencën islame. Historiani i matematikës, Carl Boyer, në 1960-n shkroi se që nga botimi i parë në vitin 1482, janë bërë më shumë se njëmijë botime të tjera të këtij libri. Mbase asnjë libër tjetër, përveç Biblës, nuk është botuar kaq shumë dhe sigurisht asnjë libër tjetër matematikor nuk ka pasur të njëjtin ndikim.
Megjithatë, jo gjithkush ka qenë fans i librit. Arthur Schopenhauer ankohej se teoritë dhe shpjegimet e tyre nga Euklidi janë shumë të komplikuara. Euklidi nuk ishte i interesuar në leximin e gjerë; ai donte të ndërtonte një sistem të përkryer. Dhe ia doli.